Ultimatumi i Isa Mustafës për Albin Kurtin, a ka rikthim të bisedimeve mes LVV e LDK-së
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës edhe pse kanë marrë më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, ende nuk po mund të merren vesh për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Tashmë që të dy partitë kanë hyrë në fazën përfundimtare të arritjes së kësaj marrëveshje.
Kjo pasi që nga sot Albin Kurtit i kanë mbetur edhe 13 ditë për formimin e Qeverisë, prej ditës kur edhe është mandatuar nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, shkruan FaktePlus.
E, për të arrritur një marrëveshje për bashkëqeverisje këto dy parti pos që kanë zhvilluar takime para mbajtjes së zgjedhjeve çka rezultuan me mosarritje të një pajtimi, një gjë të tillë po e bëjnë edhe pas rezultatit të zgjedhjeve, duke mos arritur pajtueshmëri.
Por siç duket fundi i kësaj jave do të jetë edhe vendimtar, pasi që një gjë të tillë e ka thënë edhe mbrëmë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas mbledhjes së Kryesisë.
Mustafa ka thënë se deri në fund të javës ose të arrihet marrëveshja ose të konstatohet që nuk ka kushte për marrëveshje.
“Vetëvendosja duhet ta trajtojë me vëmendje të veçantë dhe me besim të hapur marrëveshjen që të ulemi dhe të bisedojmë, por ajo ulje dhe ajo bisedë e jona të ketë marrëveshje më së voni deri në fund të javës, ose të konstatohet se nuk ka kushte për marrëveshje”, ka thënë Mustafa.
E, derisa ka thënë se janë në komunikimim të vazhdueshëm me Albin Kurtin, ende nuk dihet se kur pritet të këtë ndonjë takim të radhës në mes Kurtit dhe Mustafës.
Zëdhënësi i Lëvizjës Vetëvendosje, Arlind Manxhuka për FaktePlus ka thënë se ende nuk ka asnjë infromacion se a do të ketë ndonjë takim apo jo.
“Ende nuk kam asnjë informacion në këtë drejtim. Sapo ka diçka ju njoftoj”, ka thënë shkurt Manxhuka.
Pas, deklaratave të djeshme të Isa Mustafës, FaktePlus sot ka këkruar përgjigje edhe nga zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa se a kanë pranuar ndonjë ftesë nga partia e Kurtit për ndonjë takim të mundshëm, por ky i fundit nuk ka kthyer përgjigje.
Kujtojmë se Albin Kurti ka në dispozicion një afat prej 15 ditësh (nga sot 13) që të formojë qeverinë ose të lëshojë rrugë për të tjerët që kanë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës.
Formimi i qeverisë së re duhet ta ketë përkrahjen me vota të shumicës së thjeshtë të Kuvendit të Kosovës ose të 61 deputetëve.
Në anën tjetër, që pas përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e këtyre zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë paralajmëruar një koalicion qeverisës.
Të dy këto subjekte politike, që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 27 nëntor, kanë punuar për harmonizimin e një programi qeverisës dhe në parim janë marrë vesh edhe për ndarjen e dikastereve qeverisëse.
Megjithatë, ato nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje për koalicion qeverisës.
Më 26 dhjetor, është konstituuar përbërja e re e Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i kuvendit është zgjedhur Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ky veprim, sipas zyrtarëve të LDK-së e ka kthyer situatën në pikën zero për sa i përket një marrëveshje për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që pjesë e marrëveshjes për koalicion ishte planifikuar të ishte edhe pozita e kryetarit të Kuvendit./FaktePlus