Ukraina s’i trembet Rusisë, Zelenskiy shkon në frontin e luftës
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenksiy, e vizitoi pjesën lindore të vendit në kohën kur tensionet me Rusinë janë afër pikës së vlimit rreth konfliktit në atë pjesë.
Presidenca ukrainase tha se vizita e Zelenskiyt të enjten ishte udhëtim pune. Në lindje të Ukrainës, presidenti u takua me ushtarë që po shërbejnë në vijën e frontit, ku po përballen me separatistët e përkrahur nga Rusia.
Sipas dëshmive me fotografi, video e të dhëna të tjera, Rusia ka bërë lëvizje të konsiderueshme të trupave në drejtim të kufirit me Ukrainën dhe në Krime, të cilën e aneksoi në vitin 2014 nga Ukraina.
Në kohën kur Zelenskiy po i vizitonte ushtarët, kancelarja gjermane, Angela Merkel, i bëri thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, përmes telefonit që ta zvogëlojë numrin e ushtarëve afër Ukrainës, ndërsa Putini e akuzoi Kievin për veprime provokuese, shkruan Free Europe.
Ndaj rritjes së tensioneve kanë reaguar edhe Shtetet e Bashkuara. Shtëpia e Bardhë ka thënë se është gjithnjë më e shqetësuar nga eskalimi i fundit i agresionit rus në Ukrainën lindore, përfshirë lëvizjen e trupave ruse drejt kufirit.
Rritjes së tensioneve i kontribuoi me një deklaratë edhe nënkryetari i administratës presidenciale të Rusisë, Dmitry Kozak, i cili deklaroi se shpërthimi i veprimeve ushtarake do ta shënonte fillimin e fundit të Ukrainës.
Presidenti i Ukrainës u ka bërë thirrje shteteve anëtare të NATO-s që ta shtojnë praninë e tyre ushtarake në rajonin e Detit të Zi si masë e fuqishme parandaluese ndaj Moskës. Raportohet se ai i ka thënë sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s se rruga drejt anëtarësimit të Ukrainës në NATO është mënyra e vetme për ta përfunduar luftën në lindje të vendit.