Ujësjellësi i dërgon tek përmbaruesi mbi 3 mijë konsumatorë
Rreth 45 milionë euro është borxhi që qytetarët i kanë ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”. Kjo shumë e madhe e borxheve e akumuluar nga mbarimi i luftës e deri më tash e ka shtyrë kompaninë të ndërmerr masa më radikale për gjithë ata që kanë borxhe, shkruan FaktePlus.
Kështu Ujësjellësi përveç aplikimit masiv të shkyçjeve individuale, ka kohë që lëndë të shumta të konsumatorëve borxhlinj i ka proceduar tek përmbaruesit. Në fakt vetëm për gjashtë muajt e fundit janë grumbulluar e proceduar mbi 3 mijë lëndë të individëve të cilët i kanë borxhe.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” kishte njoftuar të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit, Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Podujevë, Obiliq, Shtime, Drenas dhe Graçanicë, se nga data 24 prill 2019, ka formuar komisione të veçanta për verifikimin dhe dërgimin e lëndëve te Përmbaruesit Privat, për konsumatorët që kanë obligime të pashlyera ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.
Lëndë tek përmbaruesi privat, sipas zyrtarëve të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, do të shkojnë edhe për personat që nuk iu janë përmbajtur kontratës së nënshkruar.
Arjeta Mjeku, zëdhënëse në Ujësjellës, thotë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se nëse një konsumator ka borxhe më shumë se 300 euro, atij do t’i procedohet lënda.
“Nëse flasim për numrin e lëndëve të dërguara te Përmbaruesit Privat nga muaji prill deri në muajin shtator, ky numër ndryshon për arsye se lëndët përgatiten çdo ditë nga ne, varësisht nga shuma e borxhit. Por, mund të them se afërsisht për 6 muaj diku rreth 3000 lëndë janë dërguar. Nëse një konsumator ka borxhe mbi 300 euro e lartë , përgatitet lënda nga ne për t’u dërguar te përmbaruesit”, ka thënë Mjeku për FaktePlus.
Ajo tutje shton se përveç aplikimit masiv për shkyçje individuale, edhe në të ardhmen do të shtohen rastet e inicimit të lëndëve tek përmbaruesi për borxhlinjtë e ujit.
“Përveç aplikimit masiv të shkyçjeve individuale, nga muaji prill i këtij viti e duke vazhduar edhe sot e edhe në periudhat vijuese do të dërgohen lëndë të shumta të konsumatorëve borxhlinj te Përmbaruesit”, thotë Mjeku duke shtuar se KRU “Prishtina” gjithnjë ka bërë lehtësira për konsumatorët dhe thirrje për ta paguar borxhin.
Si është furnizimi me ujë në 8 komunat që menaxhon KRU “Prishtina”
Ndër të tjera, zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku bëri të ditur se në 8 komunat e menaxhuara nga kjo kompani, furnizimi me ujë është stabil.
Ndërsa sipas saj, liqenet akumuluese, si ai i ‘Batllavës’ dhe ‘Badovcit’, janë me furnizim të mangët me ujë.
“Sa i përket furnizimit me ujë në 8 komunat që menaxhohen nga ne, është stabil dhe po mundohemi të bëjmë shpërndarje të barabartë dhe pa asnjë reduktim të ujit. Niveli i ujit në liqene akumuluese Batllava dhe Badoci, tash është mbi 7 metra nën kuotën maksimale të kapërderdhës. Nuk ka resurse të mjaftueshme të rezervave të ujit pasi që akumulacionet që ne i kemi varen vetëm nga reshjet atmosferike të shiut e borës”, ka thënë Mjeku./FaktePlus