UEFA me propozim të ri rreth zhvillimit të ndeshjeve pas situatës së krijuar nga koronavirusi
Pandemia e koronavirusit ka ndërprerë dhe anuluar shumëicën e garave sportive në botë, duke përfshirë edhe Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.
Gazeta franceze L’Equipe ka tronditur botën me informacione se Kampionati Evropian i vitit 2020 do të anulohet, për t’u mbajtur një vit më vonë, në vitin 2021.
L’Equipe ka dalë me informacione të reja rreth përmbylljes së sezonit në Ligën e Kampionëve. Pyetja është se kush do të jetë gati të pajtohet me zgjidhjet që do të ofrojë UEFA për garat elitare. Një gjë është e sigurt, e marta e 18 marsit do të jetë një ditë e shkëlqyer për futbollin botëror.
Gazeta franceze e informuar mirë thotë se UEFA nuk dëshiron të heq dorë nga Liga e Kampionëve. Të martën, 55 përfaqësuesve të federatave kombëtare do t’u propozohet zhvillimi i finaleve të garës elitare si dhe Ligës së Evropës, në një format më të shkurt.
Alexander Ceferin është i mendimit që faza e eliminimit direkt, nga çerekfinalja mund të luhet me vetëm një lojë, pa ndeshjen e kthimit, në një terren neutral, ose me short do të përcaktohet se kush do të jetë skuadra vendase.