Udhëtimi zyrtar i Bajram Hasanit në SHBA, mijëra euro të shpenzuar nuk arsyetohen
Zyra Kombëtare e Auditorit të Përgjithshëm në publikimin e raportit për vitin 2018 ka evidentuar shkelje sa i përket gjashtë avancave të pa mbyllura dhe të pa arsyetuara për vitin 2018, nga zyrtar të punësuar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Bëhet fjalë për para të shfrytëzuara në udhëtime jashtë vendit të cilat nuk e kanë arsyetuar qëllimin dhe barazimin e tyre në Ministri brenda afatit të caktuar.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus merr vesh se këto shkelje kanë ndodhur nga vetë ish-ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani.
Sipas burimeve të redaksisë bëhet fjale për rreth 3000 euro të shpenzuara nga ish-ministri Hasni, në një vizitë zyrtare një javore që kishe pasur në SHBA, në mars të vitit 2018.
Ish-Ministri Bajram Hasani, kishte qëndruar dy ditë në SHBA, në Hotlele si Arlington Holiday Inn Key Bridge dhe Towson Sheraton Baltimore, shkruan FaktePlus
Siç përmendet edhe në të gjeturat e Auditorit, këto para të shfrytëzuara nga buxheti i shtetit nuk janë mbyllur ose barazuar në afatin e paraparë me ligj, madje as sot e kësaj dite.
Por një shpjegim krejt ndryshe e ka Ish-Ministri Hasani për shpenzimet e përmendura si të pa arsyetuara.
I kontaktuar nga FaktePlus, Hasani thotë se të gjitha faturat i ka dorëzuar me kohë për të arsyetuar shpenzimet e udhëtimit zyrtar, por që për inate personale dikush nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i ka tërhequr ato fatura gjë që ka bërë që edhe auditori të vërej mungesën e tyre.
“Unë kamë dërguar faturat që arsyetojnë shpenzimet, por dikush i ka tërhequr qëllimisht gjë që ka bërë që edhe Zyra e Auditorit të mos i gjejë ato fatura. Tani kamë kërkuar nga të gjitha hotelet ku kemi qenë që ti kemi edhe një herë faturat e shpenzimeve dhe do ti dorëzojmë, tani i kemi gati thuajse të gjitha ato fatura dhe do ti dorëzoj që ta vërtetoj që nuk është ashtu siç raportohet”, ka thënë Hasani.
Ai ka shpjeguar se kjo vizitë e realizuar në SHBA, kishte për qëllim takimin me zyrtar të Bankës Botërore, për tërheqjes e një fondi prej mbi 18 000 000 milion eurove.
“Kemi pasur takim me Bankës Botërore ku kemi realizuar qëllimin e njësisë implementuese për fondin 18.3 milion euro. Ne për këto takime kemi fotografi video madje jemi lidhur në konferencë online ku kemi kontaktuar këto me zyrtarët e bankës Qendrore. Kemi pasur edhe vizita me biznesmen ku është shikuar mundësia e investimit në Kosovë, gjithashtu kemi pas takim edhe me ambasadoren e Kosovës në SHBA, pra ka pasur takime të shumta”, ka thënë Bajram Hasani.
Ndërkaq Zyra Kombëtare e Auditimit, ka vërtetuar se mjetet e shpenzuara nuk janë arsyetuar sipas ligjit në fuqi.
“Sipas Rregullores nr. 01/2018 për përfundimin e viti fiskal, neni 7 mbyllja e avanceve për udhëtime zyrtare dhe parave të imëta duhet të behet deri me datën 15 janar të vitit të ardhshëm fiskal.
Ne kemi identifikuar se gjashtë avance (dy për paranë e imët në vlerë prej 2,000€ dhe 1500€2, dy avance për udhëtime zyrtare me vlerë 550€ dhe 169€, si dhe dy kredit kartela me vlerë 1,925€ dhe 308€) janë të pambyllura dhe të pa arsyetuara.
Kjo gjendje ka ardhur si rezultat i neglizhencës së shfrytëzuesve të avanceve, por edhe e zyrtarëve financiar për të kërkuar nga shfrytëzuesit që të arsyetojnë shpenzimet”, thuhet në të gjeturat ose parregullsitë që ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit.
Rreziku sipas ZKA-së është se vonesat në mbylljen e avanceve rrisin rrezikun që paratë e shpenzuara mos të arsyetohen, dhe të mos përdoren për qëllimet e dhëna. /FaktePlus