Udhëtarë nuk ka, por trenat e Kosovës nuk ndalen – vazhdojnë të sjellin mallra
Për të evituar rrezikun nga përhapja e koronavirusit, i cili mori u mori jetën dhjetëra e mijëra njerëzve në botë, Qeveria e Kosovës mori një varg vendimesh, si masa mbrojtëse. Mes tyre mori vendim që të ndërpritet edhe qarkullimi i njerëzve me linja hekurudhore.
Kështu prej 13 marsit 2020 asnjë linjë hekurudhore për udhëtarë nuk është duke funksionuar në Kosovë.
Por, e njëjta gjë nuk vlen edhe për transportin e mallrave përmes hekurudhave.
Kryeshefi ekzekutiv i Infrastrukturës së Hekurudhave të Kosovës “Infrakos”, Agron Thaçi ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se transporti i mallrave në nivel nacional e ndërkombëtarë është duke funksionuar pa ndonjë vështirësi.
“Siç e dini transporti i udhëtarëve, ndërurban është ndërpre me vendim të Qeverisë… Praktikisht ne nuk kemi transport të udhëtareve për shkak të masave të marra. Ndërsa transporti i mallrave edhe në nivelin nacional edhe ndërkombëtarë është duke funksionuar pas asnjë vështirësi. Mund të them se jemi duke funksionuar me transportin e mallrave normalisht”, tha Thaçi për FaktePlus.
Thaçi ka theksuar se “Infrakos” dhe “Trainkos” janë mobilizuar që të mos ketë vonesa apo telashe tjera lidhur me transportin mallrave.
Tutje ai ka shtuar se kanë bërë dezinfektimin e gjitha stacioneve e zyrave të hekurudhave dhe se me masa mbrojtëse kanë pajisur edhe punëtorët e saj.
“Ne jemi mobilizuar në dy ndërmarrjet, si në ‘Infarkos’ edhe në ‘Trainkos’ që të mos kemi asnjë vonesë e as ndonjë telashe tjetër. E deri tash kemi arritur që transportin e mallrave ta zhvillojmë normalisht dhe pa probleme. Stafi ynë operativ e teknik është duke funksionuar me kapacitete të plota. Sepse, ne e patëm një tren apo dhjetë trena, ne duhet të funksionojmë dhe të jemi në pika dhe duhet të jemi në vendet e punës nëpër stacionet dhe terminale. Ndërsa në aspektin e administratës ne kemi marrë masa, kemi reduktuar dhe kemi sjellë stafin në nivelin esencial në mënyrë që të mbrojmë njëri tjetrin nga infektimi i mundshëm. Ne kemi bërë dezinfektimin e gjitha hapësirave t infrastrukturës, zyrat, stacionet kemi pajisur gjithë punëtorët me masa mbrojtëse”, tregoi ai.
E se mallra të shumta po hyjnë në Kosovë duke shfrytëzuar transportin hekurudhor e dëshmojnë edhe shifrat që jepen si nga hekurudha ashtu edhe nga dogana.
Kryeshefi i “Infrakos”, Agron Thaçi tregon se nga 13 marsi kur edhe u shënuan dy rastet e para të prekura nga Koronavirusi e deri më 26.03.2020, nëpërmjet hekurudhave kanë hyrë 1 milion e 480 mijë e 344 kilogramë mallra të ndryshme.
Gjatë ditë së sotme edhe ‘Trainkos’ ka njoftuar se për shkak të Pandemisë është ndërprerë linja hekurudhore Prishtinë-Shkup dhe anasjelltas.
Kjo kompani njofton se vendimi erdhi pas rekomandimeve nga Qeveria e Kosovës për ndërmarrjen e masave preventive për t’u mbrojtur nga pandemia Covid -19./FaktePlus