Udhëheqësit populistë takohen në Varshavë për të diskutuar rreth BE-së
Udhëheqësit e partive populiste të së djathtës do të takohen të shtunën në Varshavë të Polonisë për të diskutuar se si mund të punojnë bashkë për ta ndryshuar Bashkimin Evropian, të cilin e akuzojnë se po vepron si një super-shtet që po i gërryen traditat dhe pushtetet e 27 shteteve anëtare.
Kryetari i partisë populiste në pushtet në Poloni, Jaroslaw Kaczysnki, pritet që ta hapë takimin në Varshavë. Në mesin e pjesëmarrësve që pritet të jenë në këtë takim janë edhe Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, dhe politikania franceze e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen.
Takimi i populistëve vjen pas vizitës së Le Penit në Budapest në tetor, që ishte pjesë e përpjekjes së saj dhe të Orbanit për ta konsoliduar të djathtën evropiane, shkruan Independent, përcjell Gazeta Express.
Ky zhvillimi gjithashtu po mbahet në kohën kur qeveritë e Polonisë e Hungarisë kanë një mosmarrëveshje të ashpër me Bashkimin Evropian, i cili po i tërheq fondet për këto dy vende për shkak të përkeqësimit të nivelit të demokracisë.
“Kemi aq të përbashkëta me zonjën Le Pen aq sa me zotërinë Putin”, kishte thënë Kaczynski në vitin 2017. Dy vjet më vonë, ai e përshkoi partinë e Le Penit në mesin e disa grupimeve në Evropë që “qartazi janë të lidhura me Moskën dhe e marrin përkrahjen e saj”, duke thënë se këto lidhje janë pengesë për bashkëpunim.
Megjithatë, kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, u takua me Le Penin në Bruksel në tetor dhe e priti atë në një darkë në Varshavë të premten në mbrëmje.
Në korrik të këtij viti, gjashtëmbëdhjetë parti populiste evropiane lëshuan një deklaratë të përbashkët ideologjike për t’u ankuar rreth gjendjes së tanishme të BE-së. Në mesin e këtyre partive ishin edhe partitë e Orbanit e Le Penit.