Udhëheqësit e FFK-së bëjnë homazhe pranë varrit të Fadil Vokrrit
Krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), kanë bërë sot homazhe pranë varrit të legjendës së futbollit shqiptar dhe ish-presidentit të FFK-së, Fadil Vokrrit, në gjashtë mujorin e vdekjes së tij.
Ish-futbollisti dhe ish-kryetari i FFK-së Vokrri vdiq më 9 qershor të këtij viti pas një sulmi në zemër, dy vite pasi e kishte anëtarësuar Kosovën në dy organet kryesore qeverisëse të futbollit ndërkombëtar, FIFA dhe UEFA, transmeton Gazeta Express.
“Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në shoqëri të nënkryetarëve të KE, Bakir Burri, Agim Dibrani e Predrag Jovic, anëtarëve të KE-së, Vjollcë Krasniqi, Xhelal Broja e Ilaz Mjaku dhe sekretarit të përgjithshëm, Eroll Salihu, sot, kanë bërë homazhe te varri i presidentit të ndjerë, Fadil Vokrri, në gjashtë mujorin e vdekjes së tij. Të pranishëm ishin edhe bashkëpunëtorë e familjarë të ish-presidentit, pastaj drejtuesit dhe futbollistët e KF ‘Llapi’, drejtuesit e grupit të tifozëve “Dardanët” dhe dashamirë të ish-presidentit Vokrri”, thuhet në një njoftim të FFK-së.
Me këtë rast u vendosen kurora lulesh dhe u bënë nderime për veprën dhe karrierën e legjendës, Fadil Vokrri.