U tha fëmijëve që babadimri nuk ekziston, peshkopi kërkon falje
Peshkopi i Notos në Sicili i habiti nxënësit e një shkolle javën e kaluar gjatë një festivali arti – duke u thënë atyre se babadimri nuk është i vërtetë.
“Jo, Santa Claus nuk ekziston. Në fakt, do të shtoja se e kuqja e kostumit që ai vesh është zgjedhur nga Coca Cola ekskluzivisht për qëllime reklamimi”, u tha fëmijëve Antonio Staglianò.
Megjithatë, pasi komentet e peshkopit u bënë virale, Dioqeza e Notos kërkoi falje publike, raporton CNN.
“Së pari, në emër të Peshkopit, shprehim keqardhjen për këtë deklaratë që ka zhgënjyer fëmijët dhe duam të sqarojmë se ky nuk ishte aspak qëllimi i zotit Staglianò”, thuhet në deklaratë.
Staglianò gjithashtu foli për komentet e tij, duke thënë: “Unë nuk u thashë atyre se Santa Claus nuk ekziston, por ne folëm për nevojën për të dalluar atë që është e vërtetë nga ajo që nuk është”, përcjell klankosova.
Komentet erdhën gjatë një eventi të mbajtur në ditën e festës së Shën Nikollës, frymëzimi fillestar për figurën e Santa Claus dhe i njohur gjerësisht për bujarinë e tij.