U testuan 45 persona që patën kontakt me të infektuarën nga Klina, del rezultati
Në Kosovë deri më tani janë regjistruar 35 raste të prekur me COVID-19 dhe për pasojë një person ka ndërruar jetë nga ky virus.
Një ndër komunat e para që ishte prekur nga koronavirusi, ishte edhe Klina.
Edhe pse vetëm një person ka rezultuar i prekur nga koronavirusi, Klina vazhdon të jetë në karantinë.
Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, ka bërë të ditur se janë testuar edhe 45 persona të tjerë që kishin kontakt me të infektuarën, ku në mesin e këtyre personave, ka pasur edhe prej atyre që për shkak të shqetësimeve kanë kryer testin për COVID-19.
“Nuk ka raste të tjera edhe pse janë testuar disa qytetarë të Klinës rreth 45 të dielën. Por fatmirësisht nuk ka lajme të ri dhe të gjithë kanë rezultuar negativë. Ky është një lajm i mirë, por në të njëjtën kohë duhet të jemi të kujdesshëm dhe apeloj për kujdes tek të gjithë qytetarët këto dy javë. 45 persona kanë rezultuar negativë në Klinë dhe kjo është listë e IKSHPK-së që ka rezultuar pas analizës me këndë ka kontaktuar pacientja e diagnostikuar me koronavirus, do të thotë është listë që e ka përpilua Instituti dhe qytetarë të tjerë që kanë pasur shqetësime janë testuar”, ka treguar Elezaj për lajmi.net.
Por, Elezaj ka treguar se shqetësim vazhdon të mbetet furnizimi me mjete mbrojtëse për personelin mjekësorë.
“QKMF-ja ka minimalisht mjete mbrojtëse. Në këtë kohë më shumë po kemi furnizim nga donatorë të ndryshëm se sa nga Ministria e Shëndetësisë, por sido qoftë tani ka filluar me u rritë problemi në të gjitha komunat dhe të gjithë komunat kanë nevojë për ndihmë”, theksoi Elezaj.
Ai po ashtu iu bëri thirrje banorëve të Klinës që të jenë në maksimum të kujdesshëm, pasi që siç theksoi Elezaj, këto dy javë janë shumë të rëndësishme që të kujdesemi për shëndetin tonë dhe të tjerëve dhe në këtë mënyrë, ai kërkoi që të mos lëvizin nga shtëpitë pa pasur nevojë urgjente.