U gëzohen fitoreve, por nuk votojnë ligjet jetike për sport, 100% taksë politikanëve me dy-fytyra
Votimi i Ligjit për Sponsorizime dhe Donacione për Kulturë, Rini dhe Sport.
Hyrja e Ligjit në Fuqi
Mungesa e Amandamentit, “bllokimi” i ligjit
Momenti vendimtar për aprovim, mungojnë deputetët!
Tmerrohen sportistët dhe donatorët nga veprimet e çuditshme të deputetëve të Kuvendit të Kosovës…
Deklarohen politikanët për vendimet e tyre, flasin edhe akterët nga sporti.
Sa herë që luan kombëtarja e Kosovës – zona VIP e stadiumit ‘Fadil Vokrri’ mbushet nga politikanët e të gjitha partive politike. Të gjithë shikojnë nga afër ndeshjet e kombëtares – duke u ’emocionuar’ për 90 minuta dhe më pas ata hyjnë edhe në zhveshtore duke i mbajtur fjalime heronjëve që po japin gjithçka në fushën e blertë.Kjo nuk po ndodhë vetëm në sportin e futbollit, pasi një gjë e tillë praktikohet edhe në sportet e tjera – normalisht vetëm kur po arrihen suksese në arenën ndërkombëtare.Por, pse e gjithë kjo ”dashuri” e politikanëve po zbehet kur vjen momenti për të votuar diçka të rëndësishme sa i përket sportit?
Ligji për Sponsorizimin e Sportit nuk u votua, pikërisht nga këta persona që po na mbajnë fjalime kur sukseset nuk po ndalen në sport.Pas një debati të gjatë me 23 dhjetor të vitit 2016, ishte votuar nga Kuvendi i Kosovës, ligji për Sponsorizim , që shihej si shpëtim për sportin kosovar.U votua, hyri në fuqi me 20.01.2017, filluan të gëzohen të gjithë – por rezultati deri më tani është i barabartë me zero!
Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ligjin për sponsorizonim në sport dhe me këtë ishte menduar se do të zgjidhen shumë probleme rreth financimit të aktiviteteve sportive.Ligji ka për qëllim që të rregullojë kushtet, përkrahjen dhe mbështetjen financiare dhe përcakton përfitimet për sponsorët dhe donatorët që financojnë aktivitetet në fushat e kulturës, rinisë dhe sportit.
Fatkeqësisht, ky ligj nuk po zbatohet për shkak të mungesës së një amadamenti të këtij ligji për Sponsorizim. Në seancën e Kuvendit të Kosovës të mbajtur me 19 qershor të vitit 2019, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka kërkuar që të votohet ky amandament, në mënyrë që të jetësohet ligji, por kjo nuk u përkrah nga deputetët e pranishëm në sallë.
Në kohën kur po diskutohej për projektligjin për tatimin në të ardhurat e korporatave, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka propozuar amandamentin sa i përket sponsorizimit në fushën e kulturës dhe sportit që të harmonizohet edhe me Ligjin për Sponsorizime.
Por ky amandament i propozuar nga Bekim Haxhiu nuk kishte kuorum në sallë, pasi u votua vetëm nga 55 deputetë, gjë e cila nuk e mundëson kalimin e amandamentit, pasi duhen të paktën 61 vota pro.
Në sallë, sipas kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli ishin të pranishëm 69 deputetë dhe ligji mund të kalohej – sa i përket prezencës së deputetëve të pranishëm në sallë.
Ky vendim i deputetëve të pranishëm, shkaktoi shumë reagime nga zyrtarë të cilët merren me sportin në Kosovë.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu në një prononcim për ‘GazetaBlic‘, ka folur për amandamentin e propozuar në Kuvend, me ç’rast edhe zbuloi arsyet e mos-votimit nga deputetët.
Haxhiu: Ligji do të votohet
“Unë kam bërë këtë amandement me qëllim të harmonizimit të Ligjit për Sponsorizime dhe Ligjit për Tatime për të ardhurat e Korporatës, sepse unë në mandatin e kaluar e kam udhëhequr grupin punues për këtë ligj dhe është votuar në Kuvend, me qëllim që të avancohet sporti, kultura dhe rinia jonë, pasi ka qenë kërkesë e sportdashësve dhe bizneseve që të jetë një ligj i veçantë për ata që kanë investuar në sport”, tha fillimisht Haxhiu.
“Ky ligj ka hy në fuqi me 19.01.2017 – por nuk ka filluar të respektohet nga Administrata Tatimore e Kosovës, për shkak se nuk ka qenë i harmonizuar me ligjin për tatimin për të ardhurat në Korporata. Tani unë kam bërë amandament që të zbatohet ky ligj. Kjo nuk është votuar në Kuvend, pasi ashtu siç e dini, Lista Serbe nuk po merr pjesë në Kuvend për shkak të qëndrimeve politike (taksa 100%) dhe për këtë shumica parlamentare nuk ekziston, nëse partitë opozitare e bojkotojnë punën e Kuvendit. Për shkak që disa nga partitë politike opozitare kanë pasur qëndrime politike që të mos votojnë asnjë ligj të shumicës parlamentare, për këtë arsye nuk i ka marrë votat e mjaftueshme në Kuvend, pra veç për shkak të kauzave politike.”
“Në seancën e fundit, përkundër kësaj – kemi pasur edhe reflektim të deputetëve individualisht brenda Parlamentit, siç ishte rasti i Adem Mikullovcit dhe disa deputetëve tjerë të LDK-së dhe Komisioni për Buxhet dhe Financa ka mbështetur këtë amandament. Besojë që në seancën e radhës do ta kalojmë – pasi është një çështje që i jep zhvillim sportit dhe kulturës në Kosovë. Ky është një detyrim që duhet ta bëjë çdo deputet, pavarësisht partisë politike, pasi sportistët po na bëjnë krenar neve. Unë mendoj se ky amandament do t’i jep zhvillim sportit dhe mendoj që pas reagimeve nga KOK-u dhe mediat, në seancën e radhës do të kalohet”, përfundoi Haxhiu.
Të befasuar, por optimist.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi pret që ky ligj të votohet në seancën e ardhshme, por ai zbulon se është paksa i befasuar nga mos votimi – për shkak se politikanët kanë qenë afër sportit në të kaluarën.
“I ftojmë të gjitha partitë politike që ta votojnë këtë ligj, pasi është çështje e sportit. Shpresojë shumë që në seancën e ardhshme, do të kalohet. Besojë që është një votim i drejtë – pasi është shumë e nevojshme. Duke e marrë parasysh krenarinë që po na dhuron sporti – është për t’u ardhur keq, pasi inkurajimi gjithmonë ka ardhë edhe prej politikanëve. Kjo ishte pak e pakuptimtë, sepse nuk kemi pritur që nuk do të votohet. Ndoshta edhe dikush nuk e ka kuptuar këtë ligj dhe kanë pritur, por jam shumë i bindur që në seancën e ardhshme do të votohet”, përfundoi i pari i Federatës së Futbollit, Agim Ademi.
176 mijë euro shpenzime! Shihen menjëherë pasojat e mos votimit të ligjit.
Një ditë pasi nuk u votua ky amandament për Sponsorizimin në Sport, kryetari i klubit futbollistik të Vushtrrisë, Naser Imeri është larguar nga pozita e tij në klub, për shkak të shpenzimeve jashtëzakonisht të mëdha dhe mos-përkrahjes.“Kjo është tepër e rëndë, ka ndikuar shumë keq kur e kam parë që dje nuk u miratua ky ligj. Duhet shumë angazhim dhe shumë para për t’u mbajtur një klub. Kur ka lojë me rëndësi, kryetari i Komunës dhe shumë politikanë tjerë po vijnë me na shiku sa për vota, por kurrë nuk po investojnë asnjë cent. Nuk kemi hiç përkrahje dhe është zhgënjyese për neve që mos me ta dit askush”, tha fillimisht Imeri për ‘Blic’.“Vetëm vitin e kaluar unë i kam shpenzuar 176 mijë euro për sezonin 2018/19. 100% të këtyre parave kanë qenë humbje. Në rast se bëhet ligji i sponsorizimeve, unë do t’i ndihmojë Vushtrrisë menjëherë – pasi nuk do të largohem krejt nga klubi, por vetëm nga kryesia. Qyteti është i flaktë mas futbollit. Në rast se miratohet ky ligj, atëherë futbolli do të lulëzojë. Kjo po ‘zhagitet’ pasi disa para largohen nga buxheti i shtetit”, përfundoi Imeri.
PSD: Ne jemi pro, VV dhe LDK nuk votuan!
Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina thekson se partia në të cilën ajo ndodhet është shumë pro këtij ligji – mirëpo ajo fajëson LDK-në dhe VV-në për mos-votimin gjatë seancës së djeshme.
“Arsyeja pse nuk ka kaluar ky amandament është se si zakonisht deputetët e VV-së dhe LDK-së nuk kanë votuar. Ata kanë qenë prezent, por nuk e kanë votu. Ky amandament nuk ka rënë – por vetëm s’është votu. Ne e kemi votuar prej fillimit këtë amandament dhe jemi pro. Qëndrimi ynë zyrtar është për me votu këtë amandament, mund të ndodhë që ndokush nuk ka votuar – pasi nuk ka qenë prezent në sallë”, tha Pantina