Turqia e liron çiftin izraelit që e arrestoi për fotografim të rezidencës së Erdoganit
Turqia të enjten liroi një çift izraelit që ishte arrestuar për fotografimin e rezidencës së Presidentit Rexhep Erdogan në Stamboll dhe të dyshuar për spiunazh. Izraeli i ka mohuar këto akuza.
Mordi dhe Natali Oknin u arrestuan më 9 nëntor. Edhe një turk është arrestuar nën akuzat për spiunazh politik e ushtarak, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu.
Rasti i këtij çifti mori vëmendje të madhe në Izrael, vend që raportet me Turqinë i ka pasur të tensionuara për disa vjet, pasi presidenti turk e ka ngritur vazhdimisht çështjen e palestinezëve.
“Faleminderit tërë kombit të Izraelit! Faleminderit secilit që na ndihmoi dhe na përkrahu e na liroi”, tha Natali Oknin para gazetarëve përderisa arriti me një aeroplan privat me bashkëshortin në Tel Aviv, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Izraeli i ka mohuar akuzat për spiunazh kundër çiftit, duke thënë se këta dy persona nuk punojnë për asnjë agjenci shtetërore, duke dërguar një zyrtar të lartë në Turqi për ta kërkuar lirimin e tyre.
Përmes një deklarate, Kryeministri Naftali Bennett dhe ministri i jashtëm, Yair Lapid, i falënderuan Erdoganin dhe Turqinë për bashkëpunimin.
Ministri izraelit, Matan Kahana, tha se autoritetet turke kanë kuptuar se dy izraelitët janë civilë të pafajshëm. Ai shtoi se qeveria izraelite nuk i ka dhënë asgjë Turqisë për lirimin e çiftit.