Tuneli dezinfektues me probleme teknike, drejtori i Shëndetësisë thotë se riaktivizohet së shpejti
Tuneli dezinfektues i vendosur në oborrin e Qendrës Kryesore për Mjekësi Familjare (QKMF) në kryeqytet, pranë tendës së triazhimit, si masë mbrojtëse shtesë për parandalimin e përhapjes së Coronavirus gjatë së shtunës ka qenë jashtë funksionit.
Drejtori i Shëndetësisë, Bujar Gashi tha se, tuneli ka pasur një problem teknik dhe se shumë shpejt do të riaktivizohet.
Sipas tij, ekipi që e ka vendosur tunelin është duke bërë disa ndryshime, që të mos të ketë nevojë për angazhim të stafit shtesë gjatë përdorimit të tij nga qytetarët.
“Janë duke punuar në një problem teknik në pllakën elektronike të kanalit dhe shumë shpejt do të riaktivizohet”, sqaroi ai.
Gashi theksoi se e rëndësishme është edhe vendosja e tunelit në këtë qendër në mënyrë që t’i largojnë dyshimet sa i takon prekjes me Cornavirus.
“Ky tunel është vendosur edhe në disa vende të botës, mirëpo është paraparë që pacientët të cilët vijnë në tendë për këtë arsye është vendosur te Qendra e Mjekësisë Familjare, sepse kemi numrin më të madh të pacientëve dhe qytetarëve që vizitojnë këtë qendër sepse përfshijnë një regjion më të gjerë dhe ka shërbime më shumë sesa qendrat e tjera dhe ajo që e bënë më të rëndësishme është tenda, ku para dy javëve veç është vendosur dhe në qendra të tjera referohen të gjithë pacientët të cilët kanë dyshime se janë prekur me Coronavirus referohen në tendë”, tha Gashi në një intervistë për Ekonomia Online.
“Qytetarët të cilët futen në tendë duhet paraprakisht të kalojnë në tunelin dezinfektues dhe të vizitohen dhe kjo është një e mirë sepse ndikon ne eliminimin e virusit. Paraprakisht prej ekspertëve është paraparë si i nevojshëm në shumë vende dhe në si komunë kemi marrë vendim ta kemi”, shtoi Gashi.
Mes tjerash, Gashi ka thënë se tuneli nuk është i specifikuar vetëm për qytetarë, por e shfrytëzojnë edhe punëtorët shëndetësorë.
“Tuneli nuk është i specifikuar dhe e shfrytëzojnë të dyja palët, sepse punëtorët shëndetësor kanë kontakte me pacientët e prekur. E kemi analizuar dhe me kryetarin Ahmeti dhe e kemi parë të arsyeshme që të vendoset një tunel këtu”.
Kurse Sejdi Ahmeti, po e sheh si problematike mosfunksionimin e tuneli. Ai tha se ka ardhur pikërisht të dezinfektohet në këtë tunel.
“Unë erdha për të hyrë në tunel, mirëpo po shohim se nuk po funksionon. Dje është lëshuar ndërsa sot qenka prishur. Kjo është katastrofë sepse kish kushtuar 200 mijë euro. Nëse i kanë preparatet atëherë është mirë. Në çdo lagje duhet të ketë një tunel të tillë”, ka thënë Ahmeti.
Tuneli është përuruar të mërkurën dhe ka sistem automatik i cili iniciohet porsa të kalohet nëpër të.