Tsipras paraqet mocion mosbesimi ndaj Mitsotakis: Qeveria më e keqe e historisë së Greqisë
Kreu i opozitës në Greqi, Aleksis Tsipras, paraqiti mocion mosbesimi kundër qeverisë greke, të enjten. Kryetari i Sirizas e cilësoi qeverinë e udhëhequr nga Kyriakos Mitsotakis të rrezikshme për vendin. Ai tha se kjo qeveri është më e dobëta pas vendosjes së demokracisë në vend.
“Kam vendosur të paraqes mocion mosbesimi ndaj qeverisë më të keqe që ka drejtuar këtë vend në epokën e postdiktaturës”, tha Tsipras në parlament.
“Në mes të krizave ku gjendet vendi, pandemia, shtrenjtimi i çmimeve, menaxhimi i motit të keq, kryeministri Mitsotakis dhe qeveria e tij janë të rrezikshëm për vendin”, shtoi ai.
Arsye kryesore është bërë menaxhimi i situatës së krijuar për shkak të stuhive të dëborës javën e fundit.
Mocioni i mosbesimit pranohet vetëm nëse aprovohet nga shumica parlamentare.
Të premten do të nisë një debat treditor në Kuvendin e Greqisë për mocionin e paraqitur nga Tsipras.
Siriza akuzoi 6 ministra të qeverisë se janë sjellë “si oligarkë me situatën e reshjeve të dëborës”.
Një ditë më parë, Mitsotakis i kërkoi falje qytetarëve grekë për keqmenaxhimin e situatës së krijuar prej motit të keq.
Të hënën, si pasojë e dëborës, mijëra automjete mbetën të bllokuara në unazën kryesore të Athinës. Për shkak të të ftohtit shumë drejtues i braktisën mjetet duke u larguar në këmbë. Të njëjtën ditë, rreth 20 mijë banesa mbeten pa energji elektrike për shkak të dëborës, në të gjithë Greqinë.