Tryezë e aksion kundër heqjes së taksës ndaj Serbisë: “Na ktheni të zhdukurit, jo mallrat serbe”
Prej kohës kur u paralajmërua heqja e taksës ndaj Serbisë nga kryeministri Albin Kurti, opozita kosovare nuk po bëhet rehat.
Madje, kundër heqjes së taksës më e zëshmja është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), parti kjo e cila sa ishte në qeverisje edhe u vendos taksa dhe Ramush Haradinaj si kryeministër e mbrojti deri në fund.
E tash kur po diskutohet mundësia e heqjes së taksës, kjo parti ka mbajtur sot një tryezë ku është diskutuar lidhur me taksën 100 %, e ku u tha se zëvendësimi i taksës me reciprocitet, është vështirë i realizueshëm.
Gazmend Abrashi nga AAK ka thënë se vendosja e taksës ishte përgjigje për Serbinë, derisa ka shtuar se nga ajo është rritur numri i të punësuarve në vendin tonë.
“Vendosja e tarifës ishte instrument i vetëm me të cilën do të reagonte Kosova ndaj veprimeve desktruktive të Serbisë. Kemi rritje të dukshme të numrit të punësuarve. 67 për qind e bizneseve kanë deklaruar se janë rritur shitjet pas vendosjes së tarifës deri 33 për qind kanë deklaruar se shitjen kanë mbetur të njëjta. Nga analiza që është bërë nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, në pyetjen për ndikimin e taksës 50 për qind janë përgjigjur pozitivisht ,15 neutral , 35 për qind negativisht. Serbia pas vendosjes së tarifës përmes kontrollit medial tentoi ta minimizojë këtë hap me arsyen se kjo nuk do të ndikojë në ekonominë e saj por me kalimin e kohës Serbia është dorëzuar dhe kërkoi heqjen e taksës”, ka thënë ai.
Kurse nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, Agim Shahini ka thënë se e kanë vlerësuar taksën si aset kombëtar.
“Aleanca e Biznesit ka bërë tri hulumtime nga vënia e taksës e deri më sot. Aleanca e Bizneseve e ka vlerësuar taksën si aset kombëtar, aset diplomatik. Bizneset gjatë kësaj periudhe shpejt kanë qenë zëvendësim të importit të lëndës së parë por edhe produkteve tjera. Se a duhet të hiqet taksa, nga përgjigjja e 500 respodenteve në fillim kanë qenë 98 që s’duhet të hiqet taksa kurse në fund të 2019, 75 për qind kanë thënë që nuk duhet të hiqet taksa”.
Madje, kundër taksës disa të rinj nga AAK-ja kanë bërë edhe një aksion simbolik, duke vendosur në rrethojat e objektit të Qeverisë pankarta me mbishkrimin “Na ktheni të zhdukurit, jo mallrat serbe”.
E kryetari i të rinjve të kësaj partie, Driton Bardheci tha se do të bëhen edhe aktivitete të tjera për të mbrojtur taksën, e nëse largohet priten edhe masa më të rrepta prej tyre.
Ndërsa, sot kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një takim në Samitin e mbajtur në Londër i ka kërkuar homologes së tij nga Serbia të pranoj reciprocitetin dhe njohjen e Kosovës./FaktePlus