Trupi i Faton Hajrizit kthehet në Kosovë
Trupi i pajetë i Faton Hajrizit është kthyer në Kosovë në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Avokati i angazhuar nga familja Hajrizi, Arianit Koci, nga Merdarja bëri me dije se do të ketë ekzaminime shtesë në Kosovë, raporton Express.
“Unë kam premtuar se do ta sjell trupin. Misioni ka përfunduar mirë. Jam shumë i lodhur, s’mund ta zgjasë shumë. Trupi i është dorëzuar Institutit të Mjekësisë Ligjore, prokurorit dhe Policisë së Kosovës. Ata vazhdojnë tash me procedurat e mëtutjeshme. Do të ketë ekzaminime shtesë, është në kompetencë të prokurorit, besoj deri të hënën apo të martën do të kryhen të gjitha. Gjitha dokumentet që kam pasur ia kam dorëzuar prokurorisë sonë, policisë, kështu që kemi pasur një koordinim të shkëlqyer. Shumë na ka ndihmuar Zyra e Kosovës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Punëve të Jashtme”, ka thënë Koci.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës deklaroi mbrëmë se se Prokuroria e Qarkut të Beogradit ka dhënë leje që të tërhiqet trupi i pajetë i qytetarit të Kosovës, që është raportuar se është vrarë në Lloznicë më 19 korrik.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton opinionin publik që sot Prokuroria e Qarkut të Beogradit ka dhënë leje për tërheqjen e trupit të pajetë të qytetarit të Kosovës, të raportuar si i vrarë në Lloznicë të Serbisë. Avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci, mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, Ambasadori Jashari po kryejnë procedurat e tërheqjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës nga morgu i Lloznicës për t’u sjellë në Kosovë. Rreth procedurave të mëtutjeshme mjeko-ligjore të identifikimit dhe verifikimit të trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, nga institucionet e Republikës së Kosovës, do të ju mbajmë të informuar”, thuhej në njoftimin e MPJD.
Faton Hajrizi, i dyshuari për vrasjen e policit serb dhe plagosjen e kolegut të tij në Loznicë të Serbisë, u vra me 19 korrik në Serbi.