Trumpi kthehet në Zyrën Ovale
Presidenti amerikan Donald Trump, i cili po mjekohet për COVID-19, u kthye në Zyrën Ovale të mërkurën pasdite (me kohë lokale në SHBA) për herë të parë që kur doli nga spitali dy ditë më parë pasi ishte shtruar për koronavirus.
Presidenti shkoi nga rezidenca në zyrën presidenciale për t’u informuar mbi bisedimet e bllokuara për stimulin ekonomik lidhur me koronavirusin si dhe uraganin Delta, sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti postoi menjëherë në Twitter se ishte informuar për stuhinë dhe kishte folur me guvernatorët e Teksasit dhe Luizianës lidhur me përgatitjet.
Trumpi tha se dëshiron të flasë së shpejti me popullin amerikan, por detajet ende nuk janë vendosur, u tha gazetarëve të mërkurën zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Brian Morgenstern.
“Siç e keni parë, ka patur video në Twitter që janë një mënyrë mjaft e lehtë dhe efektive për presidentin që të mbajë lidhje me publikun. Kjo është padyshim diçka që po e shqyrtojmë si një mënyrë për të komunikuar me vendin, por për momentin nuk kam më shumë të dhëna”, tha ai.
Presidenti Trump nuk ka pasur simptoma për më shumë se 24 orë dhe ka qenë në gjendje të qëndrueshme, tha mjeku i Shtëpisë së Bardhë Sean Conley përmes një deklarate të mërkurën.
Presidenti tha se ndjehej shumë mirë, sipas mjekut Conley, i cili po ashtu tha se “niveli i oksigjenit në gjak si dhe frymëmarrja ishin po ashtu të qëndrueshme brenda kufijve normalë”. Mjeku tha se Presidenti Trump nuk kishte pasur temperaturë prej katër ditësh, dhe se testet e bëra të hënën tregonin nivele të dallueshme të antitrupave kundër COVID-19.