Tri vjet pa konkurs për specializime në shëndetësi
Ka tri vjet që Ministria e Shëndetësisë nuk ka hapur asnjë konkurs për specializime nga fusha e mjekësisë. Prej asaj kohe asnjë specializim nuk është ndarë për mjekë, thonë në Ministrinë e Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës.
Drejtori i Departamentit për informim në këtë ministri, Faik Hoti, i tha radios rvropa e lirë, se arsyeja pse deri tash nuk ka pasur konkurs për specializime, është se ka qenë në proces një plan i resurseve humane në shëndetësi, i cili do të bëjë një skanim të gjendjes sa u përket mjekëve, infermierëve dhe profileve tjera në tërë sistemin shëndetësorë.
“Konkursi i fundit për specializime i shpallur nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka qenë në vitin 2017. Kjo pasi në proces që kishte filluar në vitin 2016 ishin pranuar në specializim edhe kandidatë për mjekësi familjare, derisa paraprakisht ishin pranuar edhe profile të tjera në shkollim specialistik”.
“Gjithashtu është në proces edhe udhëzimi administrativ për shkollimin specialistik dhe Ministria e Shëndetësisë, pasi ta miratojë këtë udhëzim dhe ta merr vesh shumën definitive të buxhetit për vitin 2020, do të vendosë edhe për konkurset e radhës për shkollim specialistik”, tha Hoti.
Nga muaji maj i vitit 2018, rreth një mijë specializantë në Kosovë kishin filluar të paguheshin në formë page. Kjo ishte mundësuar përmes një plotësim-ndryshimi të Udhëzimit Administrativ për shkollim specialistik, të nënshkruar nga ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, me të cilin mundësohej që specializantët vullnetarë të futeshin në specializim me pagesë.
Paga e specializantëve aktualisht është rreth 600 euro në muaj aq sa paguhet edhe një specialist për punën që kryen.
Por, jo të gjithë specializantët paguhen. Aktualisht, sipas të dhënave të MSH-së, janë në proces të specializimit 414 specializantë, prej tyre 72 paguhen me paga të rregullta, ndërkaq 209 paguhen nga subvencionet.
Të tjerët janë vullnetarë, të cilët janë mjekë në specializim nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës, të cilët ende nuk kanë arritur të futen në paga të rregullta.
Në anën tjetër, Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve bëri të ditur se në Kosovë janë rreth 600 mjekë të papunë dhe pa specializime dhe, siç thotë ai, ata presin të dalin jashtë vendit pikërisht për shkak të mundësisë së specializimit dhe punësimit.
“Ka një vit që kemi filluar bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë të bëjmë një udhëzim të ri administrativ bazuar në ligjin aktual, ku do të dilnin edhe kompetencat nga Oda, pasi Oda është mbikëqyrëse, pra mbikëqyrë anën profesionale të specializimeve dhe ne nuk kemi arritur qe sa vjet ta bëjmë këtë”, tha Sejdiu.