Tri qeveri brenda një viti, 2021 nis me zgjedhje dhe kryeministër të ri
Viti 2020 ishte vit i tri qeverive. E para ishte ajo e Ramush Haradinajt në koalicion me PDK-AKR-Nisma, e dyta me koalicionin VV e LDK dhe e dyta me koalicionin LDK- AAK-Nisma.
Mirëpo asnjëra nuk doli të jetë jetëgjatë, pasi e para dha dorëheqje, e dyta u rrëzua nga mocioni i mosbesimit dhe tjetra nga Kushtetuesja. Në vitin 2021 pritet të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare që të krijohet një qeveri tjetër, ndonëse nuk ka kaluar as një vit e gjysmë prej zgjedhjeve të fundit.
Qeveria Haradinaj
Më 9 shtator të vitit 2017 Ramush Haradinaj ishte bërë kryeminsitër i Kosovës. Mirëpo më 19 korrik të 2019- ës ai dha dorëheqje pasi u ftua në Hagë.
Por në media u raportua se arsyeja kryesore për dorëheqjen e Haradinajt ishte presioni ndërkombëtar për heqjen e taksës.
Kështu vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme, që u mbajtën më 6 tetor.
Qeveria Kurti
Më 6 tetor 2019 u mbajtën zgjedhjet parlamentare, të cilat i fitoi Lëvizja Vetëvendosje me Albin Kurtin kandidat për kryeminstër.
Koalicione parazgjedhore nuk pati mes VV-së e LDK- së, mirëpo pas zgjedhjeve ata filluan diskutimet për krijimin e një koalicioni qeverisës.
Për ta arritur këtë marrëveshje Isa Mustafës e Albin Kurtit iu deshtën pothuajse tre muaj.
Më 3 shkurt, me 66 vota pro u votua Qeveria Kurti.
Mirëpo ky bashkëpunim nuk zgjati shumë, pasi që mes tyre kishte shumë mospajtime.
Mosmarrëveshjet filluan në kohën që Kosova po ballafaqonte virusin COVID-19.
Mospajtimet më të mëdha ishin rreth taksës 100% ndaj Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilën e vendosi kryeministri paraprak, Ramush Haradinaj.
Pas kërkesave nga BE, SHBA dhe LDK që të shfuqizohet ky vendim, Kurti vendosi që ta heqë vetëm pjesërisht. Por partneri i koalicionit, LDK, nuk ishte i kënaqur, ata kërkonin që kjo taskë të hiqet tërësisht.
E kulmi i mosmarrëveshjeve që çoi në prishjen e koalicionit ishte deklarata e ministrit te brendshëm nga radhët e LDK- së, Agim Veliu.
Veliu pat mbështetur dekretin e presidentit Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. E për këtë, shefi i ekzekutivit të atëhershëm, Kurti, e shkarkoi nga pozita e ministrit.
E si rrjedhojë, Lidhja Demokratike e Kosovës ngriti mocion mosbesimi ndaj VV- së.
Me 82 vota pro, më 25 mars, u rrëzua Qeveria Kurti.
Qeveria Hoti
E për krijimin e një qeverie tjetër u dasht të pritet deri më 3 qershor. Me 61 vota pro, u votua qeveria në krye me Avdullah Hotin.
Për ta formuar qeverinë, Hoti kërkoi ndihmën e AAK- së dhe Nisma-s.
Vota e 61 ishte e Etem Arifajt. Deputeti nga radhët e minoriteteve ishte dënuar për korrupsion me aktgjykim të formës së prerë. E këtë votë Lëvizja Vetëvendosje e dërgoi në Kushtetuese, sepse sipas tyre Qeveria Hoti nuk ishte legjitime.
E kjo doli të jetë e saktë. Kushtetuesja më 21 dhjetor vendosi që vota e Etem Arifajt është e pavlefshme. E si rrjedhojë
Qeveria bie dhe vendi brenda 40 ditësh shkon në zgjedhje.
“Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 (Zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës, sepse qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim të Gjykatës Kushtetuese. Më tej thuhet se,”marrë parasysh se qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 (Zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 (Zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese që mban datën 21 dhjetor 2020.
Mirëpo ky vendim ende nuk është publikuar në Gazetën Zyrtare. Pas publikimit, presidenti shpallë datën e zgjedhjeve jo më larg se 40 ditë.
2021 po e gjen Kosovën me kryeministër në detyrë e u.d të presidentit. E perveç tyre, edhe SHSKUK, Trepça, Policia e Kosovës, Dogana, ATK dhe AKI- ja janë pa drejtorë, pasi ata pararakët u shkarkuan. /FaktePlus/