Trepça shpall gjendje të jashtëzakonshme, ua pezullon minatorëve pushimet vjetore
Menaxhmenti i ndërmarrjes publike Trepça ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në këtë ndërmarrje dhe ua ka pezulluar pushimet e planifikuara për shtator, tetor e nëntor minatorëve.
Në vendimin e siguruar nga Koha, menaxhmenti ka thënë se gjendja e jashtëzakonshme ka ardhur për shkak të grevës së minatorëve nga mesi i korrikut deri në mes të gushtit. Minatorët ishin në grevë për shkak të mospagesës.
Në arsyetimin e vendimit është thënë se Trepça ka pasur “humbje të mëdha ditore në prodhim dhe ndalësë në realizimin e planit të biznesit” për periudhën 10 korrik – 15 gusht.
“Të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për Njësinë Biznesore Minierat me Flotacion Trepça Stantërg si dhe njësinë Biznesore Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë për realizimin e planit të biznesit për sasinë e koncentratit të humbur për ditët e grevës; të realizohet plani i veprimit pasi kemi bërë zotim te aksioneri për realizimin e planit të veprimit për organizimin dhe subvencionimin sipas vendimit të Qeverisë; të pezullohen përkohësisht pushimet vjetore të planifikuara për muajt shtator, tetor dhe nëntor 2024”, thuhet në vendimin marrë më 26 gusht.
Më 14 gusht, Qeveria e Kosovës dedikoi 4 milionë euro mbështetje për Trepçën për të tejkaluar krizën aktuale.
Kryeministri Albin Kurti në momentin e vendimit pati thënë për Trepçën se “duket se ka tepër shumë punëtorë mbi tokë, për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”.