Trendafilova: Specialja mund të shqiptojë edhe dënime me burgim të përjetshëm
![](https://fakteplus.net/wp-content/uploads/2023/11/trendafilova.jpg)
Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se Specialja mund të shqiptojë edhe dënime me burgim të përjetshëm.
“Gjykata mund të shqiptojë dënime me burgim të përjetshëm. Gjykatësit mbështeten në Kodin Penale të Kosovës dhe mund ta marrin në konsideratë”, ka thënë Trendafilova gjatë një diskutimi me shoqërinë civile në Prishtinë.
Vizita e Trendafilovas u përcoll me protesta ku u arrestuan gjashtë aktivistë të PSD-së.
Trendafilova ka thënë se nuk e di a do të ketë sërish bastisje.
“Gjykata dhe Prokuroria janë dy institucione të ndara. Pra, nuk e di dhe as nuk më intereson”, tha Trendafilova.
Sa i përket vendimit të marrë që të pezullohen vizitat për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, Trendafilova ka thënë se takimet e të akuzuarve me ekipet mbrojtëse nuk mund të limitohen.
“Është thelbësore që takimet me ekipet mbrojtëse nuk mund të limitohen fare. Është takim i lirë dhe pa asnjë lloj monitorimi. Kjo është marrëdhënia e shenjtë mes klientit dhe mbrojtjes”, ka thënë Trendafilova.
Trendafilova ka shtuar se deri më tash gjykatësit e Speciales nuk kanë qenë subjekt i ndonjë ndikimi apo presioni politik.
“Deri tash nuk ka ndodhur që dikush të guxojë të bëjë presion mbi ndokënd, as mbi mua dhe as mbi kolegët e mi. Kjo i atribuohet institucioneve të Kosovës dhe shteteve anëtare të BE-së, që e kanë themeluar këtë institucion. Kurrë s’ka pasur presion dhe s’do të ketë”, tha ajo.