Tregu si kasaphane, bllokohet rruga dhe trotuaret (Video)
Edhe pse e dedikuar për vetura, kjo pjesë e rrugës gjatë të marteve është vështirë e kalueshme edhe në këmbë.
Për çdo të martë dhjetëra shitës nga vende të ndryshme mblidhen tek vendi i njohur si tregu i Fushë Kosovës në fshatin Bresje, me ç’rast vendi aty bllokohet thuajse tërësisht nga ushqimet, veshmbathjet, kafshët dhe shpendët, të cilat shiten aty.
Madje disa nga veprimtaritë që zhvillohen aty janë në kundërshtim me rregullat sanitare e mund të konsiderohen edhe ilegale.
Dyshimet se po kryhen edhe veprime ilegale e kanë shtyrë ekipen e FaktePlus që gjatë të martës të qëndrojë në këtë treg dhe të shoh nga afër atë se çfarë ndodhë aty.
E gjatë kohës sa tentuam të filmonim nuk munguan as kërcënimet.
Por jo vetëm veprimtaritë ilegale janë ato që po shqetësojnë qytetarët. Numri i madh i tregtarëve dhe tregu i vogël, po i detyron ata që të shesin produktet e tyre edhe në rrugë, duke e bllokuar edhe autostradën në dalje të Fushë Kosovës.
Kurse zyrtarët nga komuna e Fushë Kosovës thonë se nuk kanë dijeni për veprimtaritë ilegale të cilat zhvillohen në treg.
Zëdhënësi Ali Topalli tha se tregu vazhdimisht është nën monitorimin e Komunës dhe në rast nevoje do të merren masa në përputhje me ligjin.
Ndërsa nga Policia e Kosovës nuk kanë pranuar të flasin lidhur me këtë çështje, edhe pse ka aksione të shpeshta në këtë pjesë.
Kujtojmë se në tregun që mbahet në Bresje të Fushë Kosovës ka lloj lloj produkte, ndërsa sikurse në shumë tregje të Kosovës, aty jo vetëm që bëhet shitja, por edhe therja e kafshëve dhe shpezëve. Kjo kryhet jashtë çdo norme e pa kushte elementare të higjienës./FaktePlus