Tregjet me qira, kryetarit Imri Ahmeti nuk i dalin në llogari 12 mijë euro
Komuna e Lipjanit që ka për kryetar Imri Ahmetin nga radhët e LDK-së ka pasur probleme gjatë vitit të kaluar në grumbullimin e të hyrave nga pronat që ka dhënë në shfrytëzim. Telashet më të mëdha kjo komunë thuhet se i ka me kompanitë që kanë marrë në menaxhim tregjet.
Zyra e Auditorit Kombëtar ka treguar se paratë që kanë qenë planifikuar të mblidhen nga kompanitë menaxhuese, nuk ka dalë në buxhetin e komunës ashtu siç ishte planifikuar.
Sipas Auditorit, komuna ka të lidhura dy kontrata për menaxhimin e tregjeve në vlerë prej 12 mijë e 345euro, ku parashihet që operatori ekonomik duhet t’i dorëzojë mjetet e grumbulluara në llogarinë e komunës çdo të martë deri në ora 12.00, shkruan FaktePlus.
“Bazuar në dëshmitë e ofruara, komuna nuk ka pranuar mjetet nga operatori ekonomik sipas afatit të përcaktuar në kontratë, duke shkaktuar vonesa me muaj për pranimin e këtyre mjeteve. Edhe pse komuna kishte dorëzuar disa herë vërejtje me shkrim, mirëpo operatori ekonomik ka vazhduar të jetë i pa përgjegjshëm në realizimin e obligimeve”, ka treguar Auditori në raportin që ka bërë për këtë komunë.
Tutje, Auditori ka tërhequr vërejtjen se arkëtimet e vonuara të të hyrave mund të rezultojnë me mungesë të fondeve apo edhe rrezikon mbledhjen e tyre në të ardhmen për shkak të vjetërsimit.
Zyra e Auditorit Kombëtar në këtë raport ka gjetur se në komunën e Lipjanit ka pasur edhe vonesa në lëshimin e lejeve ndërtimore, duke treguar se ka pasur raste kur pritja ka shkuar deri në 118 ditë.
“Nga pesë mostrat e audituara, katër prej tyre kanë rezultuar në vonesa (nga 16-118 ditë vonesa) gjatë përcaktimit të kushteve të ndërtimit dhe lëshimit të lejeve ndërtimore. Këto vonesa kanë ardhur si rezultat i neglizhencës apo pakujdesisë së personave përgjegjës gjatë pranimit dhe shqyrtimit të aplikacioneve për leje ndërtimore si dhe mos informimi i duhur i aplikantëve për afatin dhe dokumentacioni e nevojshëm që duhet ta sjellin”.
Auditori ka treguar se neglizhenca e komunës për respektimin e afateve ligjore rrit rrezikun e arkëtimit të këtyre të hyrave sipas parashikimeve dhe komuna i ekspozohet rrezikut për t’u paditur nga qytetarët për shkak të vonesave.
“Gjithashtu kjo mund të rezultojë edhe me ndërtimin jo legal të objekteve për shkak të vonesave në shqyrtimin e kërkesave të qytetarëve. Kryetari duhet të kërkojë raport me shkrim nga Drejtoria e Urbanizimit për çdo tejkalim afati gjatë lëshimit të lejeve ndërtimore bashkangjitur me arsyetimin për vonesat eventuale me qëllim të monitorimit dhe pajisjes me kushte/ leje ndërtimore brenda afatit të paraparë ligjor”./FaktePlus