Tregimi i patreguar për Kosovën
Me disa vizitorë të huaj, para disa muajsh e vizitova Kompleksin e Jasharëve në Prekaz. Pas rreth 40 minutash vozitjeje, hymë në fshatin e bukur që shtrihej përgjatë një lugine të rrethuar me kodra.
Lufta kishte lënë hije të rëndë në këtë fshat – lugina ishte e mbushur me varre të banorëve të vrarë nga forca militare serbe në mes të natës 4 dhe 5 mars 1998. U mundova ta parafytyroja Prekazin, para asaj date fatkeqe, transmeton Koha Ditore.
Fëmijët do të ishin duke luajtur në atë lëndinën e gjelbër, ndërsa bagëtitë do të ishin duke kullotur në anën tjetër të përroit. Fshatarët do të kishin kufizuar lëvizjet e tyre drejt Skenderajt – qyteza ishte e mbushur me policë serbë në atë kohë.
Adem Jashari me grupin e vet gueril, do të ishte diku në ato kodra, mbase duke mbështjellë një duhan dhe duke vëzhguar nga larg kullën vrojtuese të Fabrikës së Municionit në të cilën rrinin policët serbë.
Parafytyrimet e mia për Prekazin, për Drenicën, për dekadat e mundimshme, do të mund të vazhdonin tutje, por ja, para nesh shfaqet një godinë e re që mbante mbishkrimin “Muze”. Dhe të gjithë mësymë aty.
Me të hyrë, doja të dëgjoja tregimin për Jasharët, për rezistencën, sakrificën, vetëflijimin, doja të dija se cilat ishin ëndrrat e fëmijëve të vrarë, doja pastaj të isha ulur në një qoshe të atij muzeu dhe të qaja sikur pata qarë në Muzeun e Holokaustit në Berlin, shkruan Koha Ditore.
Në hyrje, para nesh shfaqet një burrë i cili e prezantoi veten si ciceroni i muzeut. Pasi u njoftuam, ai na drejtoi te një qoshe. Dhe e filloi prezantimin e tij për Jasharët: “Këto janë enët e familjes Jashari” – tha me një anglishte skajshmërisht të dobët, për të vazhduar me disa fjali të tjera pa ndonjë domethënie, pa ndonjë kuptim. “Ky është babai i Adem Jasharit, kjo këtu është vajza e Hamzës…” – tregimi për Jasharët u reduktua në disa enë, fotografi dhe numra.
Fatmirësisht, në grupin tonë kishte kosovarë që mund ta plotësonin tregimin, dhe kjo nuk u bë një ditë e humbur për të huajt që erdhën në Kosovë. Të njëjtën ditë, vizituam fshatin Meje, në të cilin fshat, më 27 prill 1999 forcat militare serbe ndanë nga familjet e tyre, kidnapuan dhe masakruan 372 viktima civile shqiptare.
Kur mbërritëm, aty pamë varreza me disa mermerë të parregulluar, flamuj të grisur dhe një ngrehinë betoni e papërfunduar.
Atë ditë aty nuk kishte asnjë tabelë të vetme që tregonte për pastrimin etnik, për djegiet e fshatrave në kufi me Shqipërinë, për kidnapimet e burrave, për masakrat dhe për gjetjen e trupave të tyre vite më vonë në varrezat masive në Batajnicë të Serbisë.