Tre ushtarë shqiptarë të KFOR-it që shërbejnë në Kosovë pozitiv në COVID-19
Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka bërë me dije se mes 27 pacientëve të infektuar me coronavirus që vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor në spitalin infektiv në kryeqytet, janë edhe 3 shqiptarë pjesë e misionit KFOR-it, të cilët janë raste të importuara nga Kosova.
”Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 27 të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive. Në totalin e të shtruarve në spitalin infektiv, ndodhen edhe 3 raste të importuara COVID19, ushtarë shqiptarë të KFOR të ardhur nga Kosova.”, deklaroi Eugena Tomini.
Ministria nuk ka dhënë detaje nëse përveç tre rasteve me simptoma klinike të cilët po marrin trajtim mjekësor në spital, ka apo jo të infektuar të tjerë pjesë të këtij misioni ushtarak.
Ndërsa mjeku Tritan Kalo ka treguar për ABC News se gjendja e tyre është e stabilizuar dhe nuk kanë shenja të rënda klinike.
“Janë testuar pozitivë. Janë nga Korça. Ata që janë në spital kanë elementë klinikë, kanë temperaturë, kollë, djersë dhe dhimbje gjoksi. Ata janë në gjendjen mes mesatares, jo me shenja të rënda”, tha Tritan Kalo.