Tre të vdekur nga tornadoja në Çeki, dalin pamje të shkatërrimeve
Një zëdhënës i shërbimit ambulantor në rajonin e Moravisë Jugore në Çeki konfirmoi se tre persona kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë lënduar nga tornadoja e rrallë që e goditi shtetin e Evropës Qendrore.
Zyrtarët çekë thanë se stuhia e fuqishme ka shkatërruar mijëra shtëpi dhe bënë thirrje që njerëzit të mos lëvizin me vetura nëpër zonat e prekura në mënyrë që ekipet e shpëtimit ta kenë punën më të lehtë. Autoritetet bënë thirrje për donacione.
Kryeministri Andrej Babis u kthye para kohe nga një samit i Këshillit Evropian në Bruksel për ta vizituar rajonin e prekur nga tornadoja. Disa fshatra ende nuk kanë rrymë e as ujë, shkruan Reuters.
Një televizion lokal raportoi se shtatë qyteza të vogla janë shkatërruar masivisht, duke cituar një zëdhënës të shërbimeve emergjente.
Në ndihmë Çekisë në këtë fatkeqësi të rëndë i kanë dalë vendet fqinje, Austria e Sllovakia, të cilat kanë dërguar ekipe emergjente për t’i përkrahur banorët.