Tre muaj nga taksa 100 për qind: Sa ka rënë importi nga Serbia
Sot janë mbushur tre muaj që kur Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën 100 për qind për mallrat serbe dhe boshnjake.
Më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës pati marrë vendim që të vendos taksën prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
Që nga ajo kohë e deri më sot, sipas Doganës në Kosovë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovinës janë importuar rreth 770 mijë euro mallra.
“Deri më sot vlera e mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnja është rreth 770 mijë euro të cilat po aq kanë paguar edhe masën mbrojtëse. Kryesisht lëndë e parë. Si rezultat i vënies së taksës importi nga Serbia ka rënë me 99.5 për qind krahasuar me periudhat paraprake”, ka thënë për FaktePlus zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci.
Ai ka treguar se kjo taksë ka bërë që të ketë rritje te importeve nga Shqipëria me 40 për qind, si dhe nga Maqedonia me mbi 10 për qind.
Ndërkaq për 80 ditë, sipas Doganës së Kosovës, Serbia ka inkasuar mbi 90 milionë euro më pak nga Kosova.
Mirëpo, pavarësisht vendosjes së taksës nga Qeveria, në Kosovë mallrat e Serbisë vazhdojnë të jenë prezentë.
Gjatë ditës së mërkurë ministri i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimit në Qeverinë e Serbisë, Rasim Lajiq, ka deklaruar se mallrat nga Serbia mund të hasen në gjithë Kosovën dhe se ato po arrijnë përmes rrugëve alternative, shkruan FaktePlus.
Lajiq ka thënë për RTS, se nëse shikohet në veri apo në jug të Kosovës, gjithkund mund të hasen mallrat nga Serbia të cilat mbërrijnë atje përmes rrugëve të ndryshme.
“Ka raste kur gruri ynë shkon në Kroaci, prej atje paketohet dhe transportohet në Kosovë si mall i Kroacisë”.
Në lidhje me deklaratën e ministrit serb, Lajiq, ka reaguar edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.
Ai përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka thënë se një gjë të tillë e kishte paralajmëruar edhe në dhjetor të vitit të kaluar.
“Këtë e kam paralajmëruar në dhjetor. Në raste të tilla, fillon zbatimi i praktikave që në “zhargonin” e tregtisë ndërkombëtare, njihen si “tradecircumvention”. Efekti i taksës zbehet, nëse nuk ka kapacitetet inspektuese dhe impelementuese. Duhet veprime konkrete për luftim të kontrabandës dhe manipulime të mundshme me origjinën e mallit”, ka shkruar Rukiqi.
Që nga vendosja e taksës ndaj mallrave serbe është bllokuar edhe dialogu Kosovë-Serbi, pasi që pala serbe po e kushtëzon vazhdimin e dialogut me heqjen ose pezullimin e taksës.
Mirëpo, kryeministri i Kosovës, RamushHaradinaj, po vazhdon të këmbëngulë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia e Bonja të njohin pavarësinë e Kosovës.
Ndërkohë ShBA ka thënë se nuk shohin ndonjë përfitim të Kosovës nga vendosja e taksës prej 100 për qind për mallrat serbe.
“Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar prej lidershipit të Kosovës në mënyrë të përsëritur që të pezullojë menjëherë taksën për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Siç kemi thënë, ne nuk shohim ndonjë përfitim të Kosovës nga këto masa. Ne fuqishëm inkurajojmë ripërtëritjen e fokusimit në qëllimet thelbësore të Kosovës – të ardhmen europiane dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në një nga shumë reagimet që ka bërë deri tani Ambasada e Amerikës në Prishtinë ndaj Qeverisë së Kosovës për taksën.
Kurse Bashkimi Evropian e ka cilësuar vendimin e Kosovës, për rritjen e taksës në 100 për qind ndaj produkteve serbe, si shkelje të marrëveshjes së CEFTA-s.
Përmes një njoftimi për media, përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka kërkuar nga shteti i Kosovës që ta revokojë menjëherë këtë masë.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta rritur taksën mbi mallrat nga Serbia dhe Bosnja në 100%, është shkelje e qartë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë CEFTA, dhe frymës së MSA-së ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Më tej, ky vendim përkeqëson situatën pas taksës së parë prej 10% javën e kaluar. Qeveria e Kosovës duhet ta revokojë menjëherë këtë vendim”.
Kujtomë se Kosova nga Serbia brenda një viti importon mallra në vlerë prej rreth 500 milionë euro, por eksporton vetëm rreth 40 milionë euro për në Serbi.
Kosova ka vendosur taksën prej 10 për qind më 6 nëntor për mallrat nga Serbia dhe më pas e ka rritur atë më 21 nëntor në 100 për qind.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përsëritur disa herë se taksa do të hiqet në momentin kur Serbia të njohë shtetin e Kosovës./FaktePlus