Trajneri i Parmës konfirmon se ishte i infektuar me Coronavirus
Trajneri i klubit të Serie A së Italisë, Parma, Roberto D’Aversa, ka konfirmuar se ishte i infektuar me koronavirusin e ri.
Si trajneri i Atalantas, Gian Piero Gasperini e ai i Fiorentinas, Beppe Iachini, edhe D’Aversa nuk ishte testuar në atë kohë pasi kishte simptome të lehta, e nuk konsideroheshin të mjaftueshme për t’u testuar.
“Kisha pak temperaturë për disa ditë pas ndeshjes me SPAL-in”, ka thënë D’Aversa për “Parma Today”, duke iu referuarb humbjes 1:0 më 9 mars. “Nuk ishte asgjë e madhe, kështu që nuk u testova dhe nuk e dija sigurt nëse e kam COVID-19. Është konfirmuar vetëm pasi në testin e gjakut në ditët e fundit janë zbuluar antitrupat. Unë kam temperaturë shpesh në atë periudhë çdo vit, ishte rreth 37 gradë Celsius. Kam kaluar periudhën e mbylljes me familjen time”.
Parma do të përballet me Torinon më 20 qershor, në ndeshjen e parë në Serie A pas një pauze tremujore shkaku i koronavirusit.