Tragjedia te Flamengo, yjet brazilian shprehin trishtim për vendin ku u rritën
Në Brazil, në perëndim të Rio de Janeiro, një qendër stërvitore e pajisur me kamp qëndrimi për futbollistët e rinj është përfshirë nga flakët, ku për pasojë 10 persona kanë humbur jetën, të paktën 6 prej tyre mendohet të jenë fëmijë të moshës 14-17 vjeç.
Bëhet fjalë për një ndër qendrat stërvitore më të famshme në Amerikën Latine, prej aty ku kanë dalë talente të mëdha.
Ndër të fundit janë Vinicius Junior i Real Madridit dhe Lucas Paqueta i Milanit. Të dy lojtarët kanë reaguar në lidhje me këtë tragjedi duke u shprehur:
“Trishtimi që sjell ky lajm është i madh, kam kaluar 12 vjet të jetës sime duke përjetuar këtë mjedis. Dëshira për t’u bërë një djalë që del nga foleja, ëndrrat dhe synimet u ndërprenë nga një tragjedi që nuk mund ta besoj!
I uroj shumë forcë familjes dhe miqve, le t’i ngushëllojë Perëndia zemrat e secilit! Le te lutemi!”, shkroi Paqueta në një postim në Instagram.
“Kujtoj netët dhe ditët që kam kaluar në qendrën stërvitore, më vjen të dridhem. Ende nuk e besoj, por po lutem për të gjithë! Perëndia e bekoftë familjen e njëri-tjetrit”, tha Vinicius.
Ndër të tjerë ka patur edhe yje brazilian më të mëdhenj në moshë dhe klube që janë solidarizuar me këtë ngjarje të rëndë. /FaktePlus