Tragjedia në Gjilan, 4 zyrtarëve të policisë i vazhdohet suspendimi
Sot janë bërë një javë nga tragjedia që ndodhi në Gjilan ku të vdekur mbetën pesë persona.
Zyrtarja policore Valdete Bllaca me armë zyrtare dyshohet se vrau nënën, babanë, dy vëllezërit dhe në fund i mori jetën edhe vetes.
Pas këtij rasti Inspektorati Policor i Kosovës pati rekomanduar që të suspendohen eprorët e Stacionit policor në Gjilan, pak orë pasi ndodhi ngjara tragjike.
Sot atyre i është vazhduar suspendimi deri në përfundim të hetimeve. Kështu kanë bërë të ditur burime të Reporteri.net brenda Policisë së Kosovës.
Kujtojmë se drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka deklaruar ditë më parë për mediat se zyrtarja policore Valdete Bllaca pasi kishte kryer 4 vrasjet kishte dalë në një lokal e në pasdite ishte kthyer në shtëpi dhe kishte vrarë edhe veten.
Policja Valdete Bllaca kishte shërbyer në Policinë e Kosovës 18 vjet radhazi, një kohë në Prishtinë e më pas në Gjilan.