Tottenhami ndal Man Cityn në një ndeshje me fund dramatik
Kampioni në fuqi i Premierligës, Manchester City, i humbi pikët e para të sezonit të ri, 2019/20, pasi që u ndal me barazim 2:2 nga nënkampioni i sezonit të kaluar të Ligës së Kampionëve, Tottenhami. Në fund, rolin më të madh e luajti VAR-i.
Në ndeshjen e xhiros së dytë të sezonit të ri të Premierligës, Manchester City u kthye për herë të parë në stadiumin “Etihad” pasi u shpall kampion i Anglisë sezonin e kaluar. Mirëpo, “Citizens” mbetën të zhgënjyer pasi që nuk arritën më shumë sesa barazim kundër Tottenhamit.
Pjesa e parë shkoi mjaft mirë për Manchester Cityn, që dominoi me lojë të bukur, tipike për stilin e trajnerit Pep Guardiola. “Të kaltrit” dominuan me posedim të topit, goditje brenda kuadratit të portës e pasime.
Ky dominim u shfaq edhe në rezultat pasi që pjesa e parë u mbyll me rezultat 2:1 në favor të skuadrës së Guardiolës. Raheem Sterlingu e shënoi golin e parë, mirëpo vetëm tre minuta më vonë Erik Lamela e barazoi rezultatin me një supergol.
Pasi e kishte asistuar golin e shënuar nga Sterlingu, Kevin de Bruyne shkëlqeu sërish 15 minuta më vonë, kur në minutën e 35-të e asistoi edhe golin e dytë, të shënuar nga Sergio Aguero.
Përderisa dominimi i Manchester Cityt vazhdoi edhe në pjesën e dytë të ndeshjes, kjo gjë nuk u përkthye edhe në rezultat, pasi që goli i vetëm në këtë pjesë u shënua nga Lucas Moura i Tottenhamit, i cili ia shpëtoi një pikë skuadrës së tij.
Manchester City besoi se e fitoi ndeshjen, kur Gabriel Jesus shënoi në minutën e 92-të, mirëpo pas konsultimit me VAR-in, goli u anulua dhe festa e Manchester Cityt u ndal. VAR-i e anuloi golin pasi që topi e goditi krahun e Aymeric Laportes para se të arrinte te Jesus, transmeton Express
Kjo është goditja e parë për Manchester Cityn këtë sezon pasi që ndeshjen e xhiros së parë e kishte fituar me rezultat bindës 5:0. Mirëpo, “Citizens” do të tentojnë të kthehen fuqishëm në xhiron e ardhshme, në ndeshjen kundër Bournemouthit.
Ndërsa, Tottenhami nuk kishte qenë bindës në ndeshjen e xhiros së parë, përkundër që shënoi fitore me rezultat 3:1 kundër Aston Villës. Ecurinë e fitoreve do të tentojë ta vazhdojë edhe kundër Neëcastle Unitedit në xhiron e ardhshme.