Tottenham dhe Bayern Munich nuk heqin dorë nga talenti i Serie A
Talenti i futbollit italian, Nicolo Zaniolo, ka në plan të qëndrojë te Roma për një të ardhme të afërt dhe së shpejti mund të nënshkruajë një kontratë të re. Konfirmimi i mesfushorit të shumëkërkuar për të qëndruar në “Stadio Olimpico” vjen si një lehtësim për verdhekuqtë, ditën kur njoftohet largimi i afërt i Daniele De Rossi.
Zaniolo, 19 vjeç, u bë pjesë e marrëveshjes së shkëmbimit, që dërgoi Radja Nainggolan nga kryeqytetasit tek Interi, në qershor të vitit të kaluar. “Adoleshenti” ka impresionuar me 35 paraqitjet e tij në të gjitha garat.
Tottenham dhe Bayern Munich janë dy klubet me peshë në Europë, që kanë qenë të lidhura me talentin italian dhe duket se do të këmbëngulin për të deri në fund, pavarësisht se vetë lojtari i dha drejtim të ardhmes, kur deklaroi dje:
“Kanë mbetur edhe katër vite në kontratën time aktuale dhe jam i lumtur këtu. E shoh të ardhmen time në Romë. Agjenti im do të bisedojë me klubin në fund të sezonit. Është gjithmonë kënaqësi të kesh interes nga klube të shkëlqyera, por jam i përqendruar te Roma”. /FaktePlus