Tottenham befasohet nga Burnley (Video)
Rikthimi i Harry Kane në fushën e lojës nuk i ka sjellë fat Tottenham-it, që është mundur 2-1 në ndeshjen e javës së 27-të të Premier League të luajtur në fushën e Burnley.
Sulmuesi anglez, i cili nuk luante që nga 13 janari dhe pritej të kthehej në dispozicion të trajnerit Pochettino në fundin e marsit, ka befasuar të gjithë me rikuperimin e tij të shpejtë.
Ai e ka festuar kthimin e tij me gol, por nuk ka arritur të shmangë humbjen e skuadrës. Kështu, londienzët janë ndalur në kampionat pas katër fitoresh radhazi dhe mbeten pesë pikë larg kryesuesve të Premier League, Manchester City dhe Liverpool.
Miqtë kanë dominuar ndeshjen, po tentativat e tyre janë neutralizuar nga mbrojtja e organizuar e vendasve, të cilët kanë zhbllokuar takimin në minutën e 57-të me Wood.
Sulmuesi i Burnley po kalon një moment të shkëlqyer forme, me gjashtë gola të shënuar në tetë ndeshjet e fundit të luajtura në kampionatin anglez, duke përfshirë këtu katër realizime në katër takimet e fundit.
Goli i barazimit për miqtë ka ardhur në minutën e 65-të dhe është realizuar nga Harry Kane, i cili është lojtari që ka shënuar më shumë gola se çdo lojtar tjetër në ndeshjet e Premier League të luajtura në fushën e Brunley.
Kur mendohej se takimi do të mbyllej në barazim 1-1 ka ardhur befasia, me vendasit që kanë gjetur golin e dytë në minutën e 83-të me Barnes, i cili, ashtu si shoku i tij i sulmit, ka realizuar 4 gola në 4 takimet e fundit në Premier pasi kishte realizuar në vetëm 3 nga 24 ndeshjet e mëparshme të kampionatit. /FaktePlus