“Topi”- rrëfimi i luftës për lojën e pambaruar
Albin Mehmeti: recension për romanin Topi nga Mehdi Mulaj
Lufta e fundit që përfshiu Kosovën në fundshekullin e kaluar la vragë të thella dhe kujtime të paharruara në jetët e kosovarëve, por që fatkeqësisht lufta e fundit rrezikon të mbetet në harresë, duke mos e lënë atë si dokument përmes artit, qoftë në artin pamor por edhe në atë të shkruar. Por, një dritë po shihet në fundin e tunelit. Shkrimtarët kanë filluar t’i ndezin motorët dhe kujtesën e luftës po e shndërrojnë në art letrar. Shkrimtari dhe gazetari, Mehdi Mulaj erdhi para lexuesit kosovar me librin “Topi”, që është rrëfim për luftën dhe lojën e pambaruar të një fëmije.
“Topi” është roman që vjen në formën e ditarit në të cilin janë të skalitura kujtimet e luftës prej fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe e deri në përfundim të tyre, si dhe një sekuencë e shkurtër që vjen si trajtë epilogu, si kujtim për lavdinë e të djeshmes.
Romani “Topi”, që me gjasa mund të jetë roman autobiografik vjen si rrëfim rrëqethës për luftën e lirinë, për urinë e etjen, për lojën e pambaruar e vrasjet e fëmijëve dhe për dhimbjen e kujtimin për ata që u sakrifikuan.
“Topi” është rrëfimi real për trembëdhjetë njerëz, të cilët u gjendën përpara pushkatimit, por që shpëtuan mrekullisht nga vdekja, që më pas ata të bëhen dëshmitarë të brezave për tmerrin që e përjetuan. Këta trembëdhjetë burra do të jenë edhe boshti i rrëfimit të romanit. Ata do të luftojnë fytas dhe do të triumfojnë mbi vdekjen. Trembëdhjetë burrat do të jenë ata të cilët do ta gëzojnë lirinë edhe për ata trembëdhjetë mijë kosovarë që u vranë e humbën pa gjurmë. Ata do të jetojnë që ta rindërtojnë fshatin që është alegori e ndërtimit të jetës. Ata janë simbol i ringjalljes së një vendi, i cili në çdo pëllëmbë të tokës u dogj, e çdo cep i të cilit pasqyronte vdekjen e mizorinë, apo siç thotë autori “… edhe zogjtë kishin harruar të këndonin”.
Personazhet fiktive të romanit, që në të vërtetë janë personazhe reale në jetën e përditshme e që me lëkurën e tyre përjetuan tmerrin e luftës janë personazhe të forta, të cilët arritën t’i bëjnë ballë çdo torture. Ata janë simbol i forcës dhe sakrificës. Flamuri, edhe pse pesëmbëdhjetë vjeçar paraqet fëmijën e pjekur para kohe, i cili edhe pse në moshë të njomë nuk u mashtrua nga hilet e oficerëve serbë dhe as nuk u nënshtrua torturave të tyre. Ai qëndroi stoik. Flamuri paraqet fëmijën kosovar, i cili për asnjë çast nuk arriti ta përjetojë fëmijërinë.
Në këtë roman kemi luftën primordiale mes të mirës dhe të keqes, që pasqyrohet përmes dy taboreve, atë të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që janë simbol i të mirës dhe të arritjes së perfeksionimit të karakterit njerëzor dhe në anën tjetër përmes paramilarëve serbë që janë simbol më se i qartë i ligësisë njerëzore.
“Topi” është libër homazh për njëmijë e njëzet e katër fëmijët e vrarë ne luftën e fundit, të cilëve ia ndalën lojën në gjysmë, lojë të cilën e vazhduan dhe do ta vazhdojnë fëmijët e të sotmes dhe të së ardhmes në Kosovën e lirë.