Tjetër përplasje e Thaçit me Haradinajn, për taksën dhe vizat
Siç bën shpesh kreu i shtetit, Hashim Thaçi, që pa adresë lëshon kritika, ka bërë edhe mbrëmjen e së mërkurës.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Thaçi ka thënë se “bredhja turistike e disa diplomatëve të rangut të ulët fshehtas nga një kënd në këndin tjetër të Prishtinës, nga një zyrë në zyrën tjetër të institucioneve vendore, duke lobuar për heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë në këmbim të liberalizimit të vizave, është fyerje e radhës për institucionet dhe qytetarët e Kosovës”.
“Kjo ofertë hileqare dhe diskriminuese e tyre dhe planet për asociacion me kompetenca ekzekutive, apo projekti ‘kreativ’ për sovranitet të dyfishtë, nuk janë asgjë tjetër përveç opsione me qëllim përfundimtar për ndarje të Kosovës. Këto projekte janë të turpshme, dhe si të tilla, plotësisht të papranueshme, sot dhe gjithmonë. Kosova është një dhe e pandashme”, ka shkruar Thaçi.
Ka kohë që përplasjen në distancë presidenti i vendit e ka me kreun e ekzekutivit, Ramush Haradinajn. Të dy kanë mospajtime të thella rreth mënyrës se si Kosova duhet t’i qaset dialogut me Serbinë. Thaçi ka përmenduar idenë e korrigjimit të lehtë të kufijve në veri dhe lindje të Kosovës, duke aluduar në bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me territorin e Kosovës dhe siç ka thënë “kthimin e dhuratës së Rankoviqit”.
Nga ana tjetër, Haradinaj insiston se pas Samitit të Berlinit ideja për lëvizje të kufijve, që sipas tij, nënkupton ndarje të Kosovës ka vdekur. Pikërisht në Samitin e Berlinit është thënë të jetë përmendur ideja që Kosova ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, në këmbim të liberalizimit të vizave.
Haradinaj ka thënë se taksa nuk do të hiqet, derisa shpreh optimizmin se “PO-ja” e Gjermanisë do të përkthehet në mundësinë që në shtator të votohet pro heqjes së vizave për kosovarët.
Kujtojmë se gjatë ditë, kryeministri Haradinaj është takuar edhe me një delegacion nga Finlanda edhe me ambasadorin gjerman në Kosovë, Christian Heldt.
“Me marrjen e kryesimit të Këshillit të BE-së nga 1 korriku i këtij viti, besojmë fuqishëm se shteti mik, Finlanda, do të vazhdojë të jetë zë i Kosovës në strukturat e Bashkimit Europian. Mëngjesin e sotëm kam zhvilluar takim pune me ambasadorët dhe diplomatët finlandezë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me qëllim të informimit të drejtë dhe të hollësishëm për hapat konkretë të Qeverisë për fuqizimin e sundimit të ligjit, zbatimin e reformave të gjithëmbarshme dhe agjendën europiane të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj, pas takimit me delegacionin finlandez. “Kam ritheksuar, se duhet të përshpejtohet hyrja në agjendë të BE-së çështja e liberalizimit të vizave, si një proces i pakthyeshëm, i merituar dhe i drejtë. Me qëndrimin e qartë të Gjermanisë, jemi të bindur se edhe Finlanda do të jetë në krah të vendit tonë për ta përmbyllur këtë proces në afat optimal”, ka shtuar më tej.
Pak orë më vonë ka raportuar për takimin me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë Christian Heldt, të cilin e ka cilësuar si takim të rregullt, e ku ka thënë të jetë biseduar “për takimin e Berlinit, pritjet nga takimi i Parisit dhe rolin konstruktiv dhe konsistent të Gjermanisë karshi Kosovës, ruajtjes së integritetit territorial të vendit dhe stabilitetin në rajon”.
“E falënderova Ambasadorin Heldt për mbështetjen e vazhdueshme politike dhe financiare për proceset e rëndësishme të qeverisjes në vend dhe kërkova që kjo mbështetje të vazhdojë, siç shpreha përkushtimin tonë për të çuar përpara agjendën bilaterale mes dyja vendeve”, ka thënë Haradinaj.