Tifozët e Barcelonës zgjedhin mes Moratës dhe Llorentes
Pasi u zbulua se Barcelona është duke e kërkuar transferimin e një sulmuesi gjatë këtij afati kalimtar të janarit, mediat spanjolle raportuan se dy lojtarët favoritë për ta siguruar këtë transferim janë Alvaro Morata i Chelseat dhe Fernando Llorente i Tottenhamit.
Pothuajse 12 mijë tifozë të Barcelonës votuan në një sondazh të bërë nga e përditshmja spanjolle, Marca, duke e zgjedhur Moratën si të preferuarin e tyre, me gjithsej 33 për qind të votave.
Llorente i fitoi vetëm 17 për qind të votave. Ndërsa, më së shumti tifozë të Barcelonë, 36 për qind prej tyre, votuan në opsionin për ndonjë sulmues tjetër e vetëm 14 për qind besuan se klubi i tyre nuk ka nevojë për një sulmues tjetër.
Morata merr një pagë të lartë në Angli dhe Barcelona nuk është duke kërkuar për një sulmues për formacion të parë, por për një opsion të dytë pas Suarezit. Për më tepër, transferimin e sulmuesit spanjoll nuk e mbështesin të gjithë anëtarët e klubit spanjoll.
Një emër tjetër i cili përflitet si i mundshëm për t’u transferuar në Camp Nou është Fernando Llorente, i cili pëlqehet shumë nga Valverde pasi që kishin punuar së bashku në të kaluarën, kur të dy ishin pjesë e Athletic Bilbaos.
Llorentes mund t’i lejohet largimi nga Tottenhami, megjithatë nuk dihet nëse ai do të përshtatej me skuadrën në Barcelonë.
Përveç këtyre, Barcelona është duke i vëzhguar edhe një numër lojtarësh të tjerë për këtë pozitë, përfshirë këtu Krzysztof Piatekun e Genoas, Timo Wernerin e Leipzig dhe Maxi Gomezin e Celta Vigos.