Thirrja e seancës në ditët e “Epopesë së UÇK-së”, fyerje për sakrificën e Adem Jasharit
Sikurse asnjë herë që prej përfundimit të luftës, Kuvendi i Kosovës kishte caktuar tri seanca me 5, 6 dhe 7 mars, pikërisht kur shënohet “Epopeja e UÇK-së”, dhe rënia e komandantit legjendar Adem Jashari. Dy seanca ishin thirrur të jashtëzakonshme nga opozita, konkretisht LDK-ja me përkrahjen e deputetëve të Vetëvendosjes, derisa me 7 mars ishte caktuar një seancë e rregullt.
Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, e kanë quajtur për marre caktimin e seancave të jashtëzakonshme të Kuvendit pikërisht në ditët kur edhe mbahet “Epopeja e UÇK-së”.
Sipas tyre, në vend se të ishin krejt bashkë për të festuar 5, 6 dhe 7 marsin, deputetët caktojnë seanca për t’i qëruar hesapet e veta politike, shkruan FaktePlus.
Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati thotë se pikërisht falë dëshmorëve dhe luftës së UÇK-së, ata deputetë gëzojnë ato kolltuke.
“Ne e kemi ndjerë vetën keq, kur them keq kuptohet pak edhe të fyer, për arsye sepse sot iu ka pasur hije të jenë gjithë deputetët e Parlamentit të Kosovës në kazermën “Adem Jashari” ku festohet 5, 6 dhe 7 marsi, kryetari i Kuvendit dhe gjithë udhëheqësit të jenë së bashku aty, e jo pikërisht sot të caktohet seancë e jashtëzakonshme. Kjo është e pakapshme, jo që truri jonë që nuk duhet me kapë, por as i atyre nuk është dashur ta kapte. Në saje të luftës së UÇK-së, dëshmorëve dhe invalidëve e veteranëve sot ata i gëzojnë ato kolltukë ku janë ulur dhe gëzojmë këtë liri që kemi. Ata pikërisht sot është dashur të na nderojnë neve, ta nderojnë së pari luftën, rënien e Adem Jasharit dhe t’i nderojnë gjithë veteranët e UÇK-së”, tha Gucati për FaktePlus.
Për më shumë ai e ka quajtur për marre këtë veprim të ligjvënësve, duke thënë se është e pafalshme që për inate politike të partive të mos nderohet “Epopeja e UÇK-së”.
Madje, për këtë veprim Gucati ka përdorur një fjalë popullore.
“Nuk po them krejt përbuzje, sepse vetë kryetari i Parlamentit është pjesë e luftës, një ndër themeluesit e UÇK-së, Xhavit Haliti dhe të tjerët. Por, njëfarë forme kanë rënë keq ata sepse është dashur të jenë komplet Kuvendi në Kazermën Adem Jashari. Ata kanë probleme të veta, një fjalë popullore thotë “Silli samarit, kur nuk ke çka i bënë kalit”. E ata nuk po mund të merren vesh mes veti e sot e kanë gjetur këtë datë të mbajnë seancë të jashtëzakonshme. U kanë marre, me plotë përgjegjësi po them dhe kjo është dobësi e tyre, por le të jetë në ndërgjegjen e tyre, që për politikë mos të vijnë sot ta festojnë 5, 6 dhe 7 marsin”, ka theksuar Gucati.
Por, ani pse tash e 20 vjet prej se Kosova ka Parlamentin e tij pas luftës, nuk ka ndodhur që në ditët e “Epopesë së UÇK-së”, të caktohen seanca, qoftë të jashtëzakonshme, qoftë plenare e të rregullta, për deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, nuk është asgjë nëse mbahet seancë pikërisht me 5, 6 dhe 7 mars, ani pse nuk e kanë bërë me qëllim.
“Nuk është bërë me qëllim, ne e kemi caktuar datën 5 mars, nuk ka qenë askush kundër në mbledhjen e kryesisë. Ne nuk e kemi lidhur këtë datë me këtë ngjarje, por ne nuk e kemi parë problem që edhe në këtë ditë të diskutojmë për këtë temë”, ka thënë Selamanaj.
Por, seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga LDK-ja dhe e përkrahur nga deputetët e Vetëvendosjes, dështoi të mbahej pasi partitë në pozitë nuk morën pjesë fare.
Madje, as ata të opozitës nuk ishin me shumë 25 deputetë.
Dështimin e kësaj seance dhe mos pjesëmarrjen e deputetëve të pozitës në këtë seancë, e kishte paralajmëruar deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila e kishte quajtur edhe turp caktimin e seancave pikërisht në “Epopenë e UÇK-së”./B.Syla – FaktePlus