Thirrja e Quint-it që të lejohet referendumi serb mbështetet edhe nga Washingtoni
Departamenti amerikan i shtetit ka publikuar në faqen zyrtare kërkesën e ambasadave të QUINT-it për lejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë.
Zyra për media e Departamentit amerikan të shtetit e ka publikuar deklaratën e përbashkët mbi Referendumin Kombëtar të Serbisë më 16 janar.
Një ditë pasi Josep Borellit, edhe Shtetet e QUINT’it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara) dhe Bashkimi Evropian i kanë bëre thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në referendumin e Serbisë.
Sipas QUINT-it duhet lejuar organizimi i procesit të votimit në përputhje me praktikën e mëhershme, ku misioni i OSBE-së merret me grumbullimin e votave.
Përmes një deklarate të përbashkët, këto shtete kanë thënë se vërejnë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Tutje, u bëhet thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë “që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.”
“I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hape perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, thuhet në komunikatë