Thirrja e misionit të BE-së për zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë
Kryesuesit e Misioneve të BE-së në Kosovë përmes një komunikate për media kanë bërë thirrje për një proces zgjedhor të qetë dhe transparent në zgjedhjet e 6 tetorit.
Komunikata e plotë:
Pas ftesës së Presidentit Hashim Thaçi, një Mision i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EOM) erdhi për t’i vëzhguar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019.
Zgjedhjet janë një prej komponentëve themelorë të demokracisë. Ato janë një mundësi për popullin e Kosovës për ta ushtruar të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe zgjedhur udhëheqësit e vet.
BE-ja bën thirrje që procesi zgjedhor të mbahet në mënyrë të qetë, transparente dhe gjithëpërfshirëse, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe sundimin e së drejtës.
Të gjitha partitë politike dhe udhëheqësit e tyre duhet të sigurojnë fushatë respektuese të përqendruar në programe konkrete në interes të popullit të Kosovës.
Forcimi i procesit zgjedhor është pjesë thelbësore e ciklit zgjedhor dhe me rëndësi të madhe në Kosovë.
BE-ja dhe OSBE-ja bashkërisht e kanë mbështetur themelimin e një Komisioni ad hoc të Kuvendit dhe të një Grupi Këshillëdhënës për këtë çështje.
I ftojmë të gjitha palët t’i marrin me seriozitet përpjekjet e Komisionit dhe ta përshpejtojnë punën pas zgjedhjeve për t’i zbatuar rekomandimet e EU EOM.