The Guardian: Lufta për pushtet dhe përçarja Amerikë-Europë e rrezuan Qeverinë në Kosovë
Një luftë e brendshme për pushtet, mosmarrëveshje mbi mënyrën më të mirë për të trajtuar situatën me koronavirusin dhe një përçarje midis politikës së jashtme amerikane dhe evropiane janë kombinuar të gjitha për të rrëzuar Qeverinë në Kosovë, duke e zhytur vendin në kaos kushtetues pikërisht kur duhet të jetë duke pasur një përgjigje lokale ndaj pandemisë. Kështu shkruan gazeta me e njohur britanike The Guardian teksa raporton për zhvillimet e djeshme në Kosovë.
Qeveria e kryeministrit, Albin Kurti, humbi dje në një mocion mosbesimi me 82 vota për, 32 kundër dhe me një abstenim.
The Guardian citon kryeredaktorin e Kohës Ditore, Agron Bajrami të ketë thënë se njerëzit në Kosovë janë të zhgënjyer me këto zhvillime nga skena politike. Përmendin faktin se po protestohet me tenxhere.
“Njerëzit janë shumë të zhgënjyer dhe të zemëruar për atë që po ndodh; ata mendojnë se është shumë egoiste nga ana e partive dhe udhëheqësit e tyre që vendosën të merren me qeverinë në këtë moment, kur të gjithë duhet të adresojmë çështjen e koronavirusit”, tha Agron Bajrami.
Deri më tani ka pasur 71 raste të konfirmuara të koronavirusit në Kosovë, me një vdekje.
The Guardian shkruan se kriza politike është kulmi i një beteje politike midis presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kurtit, i cili u bë përfundimisht si kryeministër në shkurt pas muajsh të grindjeve politike për të krijuar një koalicion qeverisës.
Guardian thotë se partia e tij, Kurtit, fitoi më shumë vota në zgjedhjet e tetorit me një platformë të majtë, antikorrupsion, por nuk ka numrat e mjaftueshëm për të qeverisur vetëm.
Kurti është përfshirë në një grindje me partnerin e tij të koalicionit, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe shkarkoi Ministrin e Brendshëm të partisë, javën e kaluar, pasi kishte mospërputhje me politika rreth koronavirusit, me saktë për gjendjen e jashtëzakonshme, që i jepte Thaçit më shumë fuqi.
Përplasja lokale , shkruan Guardian, është nxitur edhe nga përçarjet e thella midis kryeqyteteve evropiane dhe politikës së jashtme të SH.B.A.-së, me administratën e Donald Trump të etur për të parë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, përcjellë Reporteri.net.
Beogradi nuk pranon të njohë pavarësinë e Kosovës. Shtëpia e Bardhë ka bërë presion që një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës të merret kryhet këtë vit, në atë që do të shihej si një triumf i diplomacisë për Trump. Ndërsa Thaçi ka qenë i pro në lëvizjet e SH.B.A.-së, Kurti ishte më skeptik, i shqetësuar se një marrëveshje do të përfshinte bërjen e shumë kompromiseve karshi Serbisë.
Bashkimi Evropian gjithashtu ka ndjekur negociatat për një marrëveshje që përfundimisht do të sillte njohje për të dy vendet, por ka ecur në një ritëm të ngadaltë dhe është më i kujdesshëm për çdo marrëveshje që do të përfshinte një shkëmbim territoresh.
Këto tensione, shkruan Guardian dolën në sipërfaqe përpara votimit të mosbesimit, pasi kryeqytetet evropiane reaguan me ndaj votimit të mosbesimit, edhe kur ambasadori amerikan po e përkrahte.
Ambasadorët francezë dhe gjermanë i dërguan një shënim të ashpër LDK-së të martën duke i kërkuar asaj “të rishqyrtojë votën e mosbesimit dhe të ruajë qeverinë për t’u përballur me sfidat”. Megjithatë, disa orë më vonë, ambasadori amerikan, Philip Kosnett, shkroi në Tëitter se ai ishte “i kënaqur” që votimi do të zhvillohej.
“Ne kurrë nuk kemi pasur një ndarje transatlantike ose perëndimin që flet me zëra të ndryshëm,” tha Agon Maliqi, një analist politik.
Beteja kundër koronavirusit në vend tashmë është penguar nga përleshjet midis presidentit dhe kryeministrit, duke rezultuar në shpërndarjen e mesazheve të përziera tek popullata. Të hënën në mbrëmje, qeveria e Kurtit njoftoi një shtetrrethim të dyfishtë, duke u dhënë njerëzve vetëm dy mundësi katër-orëshe gjatë së cilës do të lejoheshin të lëviznin në qytet.
Thaçi, megjithatë, kritikoi rregullat si antikushtetuese dhe u bëri thirrje njerëzve t’i injorojnë ato. “Qytetarët nuk janë të detyruar ta respektojnë këtë vendim. As policia dhe as autoritetet e sigurisë nuk duhet ta zbatojnë këtë vendim të qeverisë”, tha ai për Guardian, transmeton Reporteri.net.
Hapat e ardhshëm janë të paqarta: Kushtetuta e Kosovës bën thirrje për zgjedhje brenda 45 ditësh, gjë që do të duket e pamundur gjatë një pandemie. Mundësia tjetër është që presidenti të ftojë liderin e partisë më të madhe për të qeverisur, që është Kurti.
Në një mesazh të postuar në Facebook ditën e enjte, Kurti u zotua se qeveria e tij do të vazhdojë një rol kujdestar dhe akuzoi Thaçin dhe Richard Grenell, ambasadorin amerikan në Gjermani, që, siç shkruan Guardian, ka qenë njeriu kryesor për Shtëpinë e Bardhë, në përpjekjet për të arritur një marrëveshje Kosovë-Serbi.
Ai tha se votimi kishte filluar pas një “sinjali” nga Grenell dhe tha se “ka mbi 80 deputetë në Kosovë të gatshëm të rrezikojnë jetën e qytetarëve vetëm për të mbështetur një shkëmbim [tokë] presidencial.”