The Guardian: Joe Biden shënon epërsi ndaj Trumpit
Kandidati për president të Shteteve të Bashkuara nga radhët e Partisë Demokratike dhe ish-nënpresidenti i këtij vendi, Joe Biden, ka regjistruar epërsi rekorde prej 17 për qind ndaj presidentit të tanishëm dhe rivalit në zgjedhjet e 3 nëntorit, Donald Trump.
Kjo u bë e ditur nga një sondazh nga gazeta “The Guardian” dhe organizata “Opinium Research”.
Sipas kësaj ankete, 57 për qind e pjesëmarrësve thanë se do të votojnë për Bidenin, ndërsa vetëm 40 për qind thanë se do të votojnë për kreun e tanishëm të Shtëpisë së Bardhë, shkruan The Guardian.
Kjo epërsi është edhe më e lartë se dallimi prej 16 për qind në përkrahje që u regjistrua më herët këtë muaj nga televizioni “CNN”.
Kur kanë mbetur vetëm tri javë nga zgjedhjet dhe miliona amerikanë tashmë kanë votuar, disa republikanë po frikësohen se do të pësojnë humbje në garat për presidencë, Senat dhe Dhomë të Përfaqësuesve. Ed Rollins, këshilltar në një komision që e përkrah Trumpin, tha: “Mjedisi politik i presidentit është i tmerrshëm. Është një betejë në të përpjetë”.
Të gjeturat e kësaj ankete tregojnë se vdekja e gjykatëses së Gjykatës Supreme, Ruth Bader Ginsburg, performanca e dobët e Trumpit në debatin e parë presidencial dhe përhapja e koronavirusit në Shtëpinë e Bardhë ndikuan që përkrahja për Demokratët të rritet.
Që nga shtatori, Joe Biden ka fituar 5 për qind më shumë përkrahje nga votuesit e pavendosur. Demokratët siguruan mbështetje më të madhe edhe në mesin e përkrahësve të tanishëm pasi 82 për qind e tyre thanë se do të votojnë, ndërsa kjo shifër në shtator ishte 75 për qind.