Thaçi zbulon se nga kush e mori idenë për korrigjimin e kufirit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas disa muajve të proklamimit të idesë për korrigjimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, ka treguar se nga e ka marrë këtë ide dhe se kush e kishte përmendur më herët.
Kreu i shtetit ka theksuar se idenë e tij për korrigjim kufijsh e ka marrë nga ish presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, më pas edhe nga ish kryetari i Kuvendit Nexhat Daci, dhe nga kryetari aktual i Gjilanit dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Ishte kryetari i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, që pyeti presidentin Thaçi, nëse ideja për korrigjimin e kufirit është e tij, apo e ka marrë diku.
“Ideja e kujt prej juve ka qenë ndarja, ose korrigjim, ose demarkacion të kufirit. A ka qenë ideja u juaj, ose ideja e Vuqiq, ose e ndonjë pale tjetër që emër dhe mbiemër”, pyeti Rashiq.
Por, presidenti Thaçi tha se idenë që po e proklamon ai, është vetëm bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën, por jo ndarje, siç Serbia pretendon.
“Prej presidentit Rugova në vitin 1994, pastaj prej profesorit Nexhat Daci, prej kryetarit të Gjilanit Lutfi Haziri. Ndërsa, sa i përket ndarjes, natyrisht që Serbia ka pretendim ndarjen, por po të tregoj cila është ideja ime origjinale. Ideja ime origjinale është bashkëngjitja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, me territorin e Republikës së Kosovës. Kjo është ideja ime origjinale, që iu kam bashkëngjitë presidentit Rugova, Dacit dhe kryetarit të Gjilanit”, ka thënë Thaçi.
Këtë deklaratë, Thaçi e ka dhënë në tryezën e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit, me temën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. /FaktePlus