Thaçi: Vendimi i GJND-së e vulosi përfundimisht subjektivitetin e shtetit të Kosovës
Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka kujtuar sot vendimin e marrë 10 vjet më parë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), vendim me të cilin sipas tij është vulosur përfundimisht subjektiviteti ndërkombëtar i shtetit të ri të Kosovës.
Janë mbushur 10 vjet që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Kreu i vendit thotë se 10 vjet më parë u vulos edhe përfundimisht subjektiviteti ndërkombëtar i shtetit të ri të Kosovës.
“Ne asnjëherë nuk kishim dyshime për të drejtën tonë historike, që të jetojmë të lirë në vendin tonë të pavarur dhe sovran. Serbia pas humbjes së luftës në Kosovë, duke mos u pajtuar me këtë fakt, kishte vendosur ta dërgonte rastin e shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, tha ai.
Thaçi shtoi se populli i Kosovës gjithmonë i ka besuar drejtësisë ndërkombëtare, përkundër faktit që ende nuk ka drejtësi për gjenocidin e shtetit të Serbisë të kryer mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë.
“I kemi besuar dhe vazhdojmë t’i besojmë drejtësisë ndërkombëtare, sepse gjithmonë ishim dhe vazhdojmë të jemi në të drejtën tonë”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social, ku edhe ka shpërndarë xhirime nga shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.