Thaçi tregon se çka do të flasë në Konferencën e Sigurisë në Gjermani
Konferenca e Sigurisë së Munihut është një nga forumet kryesore në botë në të cilën diskutohen çështjet e sigurisë globale, por edhe lokale.
Për Kosovën, sipas presidentit Hashim Thaçi, kjo konferencë gjithmonë ka qenë forum në të cilin ka elaboruar të arriturat, sfidat dhe nevojat e Kosovës dhe rajonit.
Në një intervistë për IndeksOnline Thaçi ka thënë se edhe këtë vit Konferenca e Sigurisë është mundësi për afirmimin e Republikës së Kosovës në rrafshin rajonal e global.
“Këtë vit do të fokusohem në nevojën për të ruajtur interesimin dhe vëmendjen e SHBA-së, por edhe të BE-së dhe vendeve anëtare të saj në Kosovë dhe paqen e stabilitetin në tërë Ballkanin Perëndimor. Është shumë e rëndësishme që të punojmë në tejkalimin e kësaj pike kur marrëdhënia jonë me BE-në është lënduar për shkak të vonesës në marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.
Një pikë tjetër që ai ka thënë se do ta theksojë këtë vit, që është tepër e rëndësishme, është se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk ka alternativë.
“Kosova, por edhe tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor, kanë nevojë për dialog të sinqertë, të hapur, me BE-në. Dua ta bëj të qartë për të gjithë se nuk mund të ketë zgjidhje alternative apo të përkohshme për rajonin dhe BE-në”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi ka thënë se zgjidhje e qëndrueshme që sjell paqe, stabilitetit, zhvillim, prosperitet është anëtarësimi i plotë i tërë Ballkanit Perëndimor në BE.
“Idetë për alternativa tjera, për lidhje lokale, të cilat nuk e respektojnë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës nënkuptojnë kthim në të kaluarën dhe jo hapa përpara”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi ka thënë se edhe në margjinat e konferencës do të takohet me zyrtarë të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, ndër ta edhe me ambasadorin Grenell, i cili është ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe i dërguari i presidentit Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Marrëveshja e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë, finale, ligjërisht e obligueshme, që mbyll çdo çështje të hapur në mes të Kosovës dhe Serbisë, që sjell njohjen reciproke në mes dy vendeve dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara është kontributi më i madh për paqen dhe sigurinë në rajon, por edhe më gjerë”, ka thënë presidenti Thaçi.