Thaçi sot zhvillon takimin e parë pas kthimit nga Haga
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot do të zhvillojë një takim në zyrën e tij dhe në fakt ky është takimi i parë që pas kthimit nga Haga, ku për katër ditë u intervistua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun në Presidencë njofton se kreu i shtetit sot në orën 12:00 e pret në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.
Ky në fakt është edhe takimi i parë prejse presidenti Thaçi është kthyer nga Haga, ku nga 13 deri më 16 korrik 2020, u intervistua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Thaçi u ftua për intervistim në Hagë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi muajin e kaluar se, më 24 prill, ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër tij, kundër kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
Në njoftimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.
Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.
Në këtë njoftim të Prokurorit të Specializuar mes tjerash u tha po ashtu se kjo aktakuzë vjen si rezultat i një hetimi të gjatë dhe se gjykatësi i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale po analizon atë, në mënyrë që të vendosë nëse do t’i konfirmojë akuzat.
Gjykata Speciale, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar e Prokurorisë në Hagë u formua nga autoritetet në Kosovë pas insistimit të bashkësisë ndërkombëtare. Për formimin e kësaj gjykate u deshën edhe ndryshime kushtetuese, që u miratuan nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Gjykata Speciale për krime të luftës është gjykatë e përkohshme me mandat të kufizuar dhe me seli në Hagë. Kjo gjykatë vepron e pavarur dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.