Thaçi pritet t’i emërojë anëtarët e KQZ-së, s’e fton PSD-në e Nismën
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të enjten pritet t’i dekretojë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), organ ky që ka mbetur tash e një vit i bllokuar si pasojë e mos emërimit të anëtarëve në këtë institucion nga i pari i vendit.
Tash e një vit është zvarritur emërimi i anëtarëve të KQZ-së, pasi të gjitha grupet parlamentare kërkonin përfaqësues në këtë organ, por që ligji nuk e lejon këtë, pasi njeh vetëm grupe parlamentare që dalin nga zgjedhjet, e jo edhe ato që krijohen pas konstituimit të Kuvendit.
Sipas partive politike me të mëdha në Kuvendin e Kosovës, do të përfaqësohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe Vetëvendosjes kanë konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se kanë dërguar emrat e kërkuar nga presidenti për dekretim në KQZ.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se ka kohë që ka dërguar në presidencë një emër të PDK-së.
“Ka kohë që unë e kam dërguar propozimin në emër të PDK-së”, ka thënë se Krasniqi për FaktePlus.
Dy përfaqësues në KQZ do t’i ketë Lidhja Demokratike e Kosovës.
Florian Dushi e Sami Hamiti janë emrat që janë dërguar në presidencë për dekretim nga kjo parti.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selamanaj, ka konfirmuar për FaktePlus se LDK ka dërguar dy emra për dekorim në KQZ.
“Emërimet po bëhen në terësi sipas propozimeve dhe qëndrimeve të opozitës. Emërimet janë bërë sipas kërkesës sonë. 2 emra nga LDK-ja tashmë janë ftuar nga presidenti për dekretim”, ka thënë Selmanaj për FaktePlus.
Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk do ta dërgojnë vendimin e presidentit në kushtetuese, pasi ftesa është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, pasi janë ftuar dy emra nga subjekti i tyre për t’u betuar si anëtarë të KQZ-së.
“Jo, sepse ftesa është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. Janë ftuar për betim dy anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Haxhiu për FaktePlus.
Kjo parti ka dërguar dy emra për dekretim në KQZ dhe ata janë, Nazie Bala dhe Adnan Rrustemi.
Por, ndryshe nga partitë e mëdha, presidenti Hashim Thaçi, nuk ka kërkuar nga PSD-ja emra për emërim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Natyra Kuçi, ka thënë për FaktePlus, se nuk kanë marrë ftesë nga kreu i shtetit.
Prandaj, sipas saj ende nuk kanë diskutuar se çfarë hapa do të ndërmarrin.
“Jo, s’kemi pranuar ftesë nga presidenti. Nuk e kemi diskutuar më tepër”, ka theksuar ajo për FaktePlus.
Anëtar në KQZ duket se nuk do të ketë as Nisma Socialdemokrate.
Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi, ka thënë për FaktePlus, se ende nuk ka marr ftesë nga presidenti për ta dërguar ndonjë emër për dekretim në KQZ.
“Ende jo, mirëpo unë pres që presidenti të dekretojë nga një përfaqësues nga 6 grupet parlamentare që janë aktualisht në Kuvend! Pra konsideroj që përbërja e KQZ-së duhet të reflektojë numrin e grupeve parlamentare në Kuvend”, ka thënë Sherifi për FaktePlus.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që nga marsi i vitit të kaluar, ka mbetur pa anëtarë pasi presidenti nuk i emëronte anëtarët e rinj. /FaktePlus/