Thaçi për dialogun: S’jam në garë me Hotin, do të ulemi bashkë përballë Serbisë
Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se në takimin e parë zyrtar që e ka mbajtur me kryeministrin Avdullah Hoti e ka përgëzuar atë për heqjen e reciprocitetit, si një nga vendimet e para të kësaj qeverie.
Ai ka treguar se kanë diskutuar edhe për situatën me pandeminë Covid-19.
“Diskutuam edhe për hapat që duhet të ndërmerren nga institucionet përkatëse për respektimin e plotë të rekomandimeve të IKSHPK-së sa i përket Covid-19. Besoj se institucionet e vendit dhe vetë Ministria e Shëndetësisë do t’i ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm që të kalojmë sa më lehtë dhe më mirë, gjithmonë duke respektuar rekomandimet e IKSHPK-së”.
I pari i vendit tha se kanë folur edhe për dialogun në të cilin proces u shpreh i bindur se do të punojnë së bashku me kryeministrin.
“Pikë tjetër e diskutimit ishte edhe koordinimi në mes të institucioneve në hapat që duhet të ndërmarrim në rrafshin e brendshëm dhe atë të jashtëm, gjithmonë duke respektuar Kushtetutën, ligjet dhe autoritetet përkatëse të institucioneve të vendit – me theks të veçantë sa i përket vazhdimit të mundësisë për dialog”.
“Ne jemi në një javë të rëndësishme për vendin dhe Ballkanin Perëndimor kur pritet hapja e proceseve konkrete nga SHBA-të – nga ambasadori Richard Grenell – si dhe paralajmërimi i vizitës së Mirosllav Lajçak në Kosovë. Do të punojmë ngushtë me njëri-tjetrin, si president dhe kryeministër, por edhe me Kuvendin dhe të gjitha partitë politike që të jemi sa më të përgatitur dhe ta kemi të qartë se çka duam ne të arrijmë. Ne duam ta arrijmë njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë drejtim gjithçka është e qartë: Do të respektohet Kushtetuta dhe do të punohet ngushtë me gjithë spektrin politik në mënyrë që ta përmbyllim këtë proces jo të lehtë”.
Thaçi insistoi se do të jenë “krahë për krahë” me Hotin në dialogun me Serbinë. Ai tha po ashtu se nuk janë në garë se kush do ta mbajë ‘bajrakun’ e dialogut, por janë në garë me Serbinë.
“Ne e kemi Kushtetutën ku janë të përcaktuara përgjegjësitë institucionale të bartësve të institucioneve. Me rëndësi është që ekziston vullneti shumë i mirë për koordinim. Do të jemi krahë për krahë me njëri-tjetrin dhe natyrisht që do të punojmë me gjithë lidershipin e Kosovës, derisa në fund gjithçka do të vendoset në Kuvendin e Kosovës”.
“Ne nuk jemi në garë me njëri-tjetrin. Ne do të ulemi bashkë përballë Serbisë dhe gara jonë është me Serbinë. Uroj që ky proces të jetë dinamik, i shpejtë, i saktë dhe i suksesshëm nga ana e ambasadorit Richard Grenell. Kosova s’ka kohë për të humbur në kuptimin e diskutimeve të thata që mund të humbim me vite të tëra”.