Thaçi: Menaxhimi me kronavirusin, papërgjegjësi ekstreme e Qeverisë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka shfaqur “papërgjegjësi ekstreme” në raport me menaxhimin e situatës emergjente me koronavirus (COVID-19).
Thaçi ka deklaruar se Kosova do të kishte numër më të vogël të të infektuarve, nëse Qeveria Kurti do të merrte masa më rigoroze për menaxhimin e COVID-19.
“Jam i bindur se nëse do të merreshin masa që në fillim, nuk do të kishim as këtë numër të të infektuarve. Ky komoditet, me ardhjen e njerëzve që s’janë futur fare në karantinë, dhe rrethanat e tjera -të mos kontrollimit të kufijve – kanë pasur efekt negativ”, ka deklaruar Thaçi në Top Channel.
Presidenti ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është treguar neglizhente kundrejt koronavirusit.
“Papërgjegjësia e qeverisë është ekstreme. Ka vepruar në mënyrë shumë neglizhente. Duke menduar se Kosova është një vend i izoluar nga rajoni dhe bota”, ka thënë Presidenti Thaçi.
Thaçi është shprehur edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e shpalli anti-kushtetues vendimin e Qeverisë Kurti për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve. Ka thënë se ai e ka obligim të denoncojë në Gjykatën Kushtetuese “çdokënd që vepron në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”.