Thaçi: Lobimi i heqjes së taksës në këmbim të vizave, është fyerje për qytetarët
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka quajtur të turpshme dhe të papranueshme lotimet e diplomatëve të huaj për heqjen e taksës në këmbim të liberalizimit të vizave.
I pari i vendit nëpërmjet një postimi në profilin e tij ‘Facebook’, ka shkruar se ky lobim i këtyre diplomatëve është fyerje për qytetarët e Kosovës. Madje ai tutje ka thënë se kjo ofertë siç thotë ai hileqare dhe diskriminuese si dhe planet për asociacionin me kompetenca ekzekutive, kanë qëllim ndarjen e Kosovës.
“Bredhja turistike e disa diplomatëve të rangut të ulët fshehtas nga një kënd në këndin tjetër të Prishtinës, nga një zyrë në zyrën tjetër të institucioneve vendore, duke lobuar për heqjen e taksës ndaj mallërave të Serbisë në këmbin të liberalizimit të vizave, është fyerje e radhës për institucionet dhe qytetarët e Kosovës. Kjo ofertë hileqare dhe diskriminuese e tyre dhe planet për asociacion me komptenca ekzekutive, apo projekti “kreativ” për sovranitet të dyfishtë, nuk janë asgjë tjetër përveç opcione me qëllim përfundimtar për ndarje të Kosovës. Këto projekte janë të turpshme, dhe si të tilla, plotësisht të papranueshme, sot dhe gjithmonë. Kosova është një dhe e pandashme”, ka shkruar Thaçi.