Thaçi: Kurti po tregohet frikacak dhe i paaftë në raport me tarifën e reciprocitetin
Pas paralajmërimeve të SHBA-së për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, presidenti i Kosovës ka bërë reagime të njëpasnjëshme.
Sot, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas pjesëmarrjes në ceremoninë e ndarjes së dekoratave për 66 dëshmorët e Brigadës 125 të Zonës Operative të Pashtrikut, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po tregohet frikacak dhe i paaftë, meqë sipas tij, shefi i Ekzekutivit as nuk e heq tarifën e as nuk po e vendos reciprocitetin.
“Z. Kurti po tregohet edhe frikacak edhe i paaftë, as nuk është që e heqë tarifën e as nuk është që po guxon e po tregohet i aftë me qit reciprocitet. Prandaj duhet ta japë mesazhin e qartë”, ka thënë Thaçi.
Tutje, Thaçi ka theksuar se vonesat e kryeministrit Kurti në vendimmarrje nuk i ndihmojnë Kosovës dhe ka shtuar se nuk do të lejohet “që të cenohet partneriteti strategjik me SHBA-në”.
Nga ana tjetët Kurti gjatë ditës së sotme nuk ka përmendur taksën. Dje ai ka thënë se SHBA nuk i largon trupat e saj nga Kosova./FaktePlus